UNIKO MIRËPRET TAKIMIN E ALEANCËS EVROPIANE-UP UNIVERSITY

Për herë të parë, Universiteti “Fan S. Noli” mirëpret në Korçë takimin e Aleancës Evropiane UP University, duke e kthyer qytetin tonë në një pikëtakim të ideve, përvojave dhe vizioneve akademike evropiane.
Ky është një moment i rëndësishëm në rrugëtimin e Universitetit drejt ndërkombëtarizimit, një hap që e vendos UNIKO në qendër të bashkëpunimit dhe dialogut me universitetet partnere në Evropë.
Pjesëmarrësit i përshëndeti fillimisht dr. Heidi Fagerholm, Presidente e UP University dhe CEO e Universitetit OAMK, Finlandë dhe rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili ndër të tjera theksoi: “Për ne, ky takim është një mundësi për të forcuar lidhjet tona akademike, për të shkëmbyer përvoja dhe për të shqyrtuar se si bashkëpunimi ynë mund të sjellë përfitime të qëndrueshme për institucionet tona, studentët tanë dhe komunitetet që i shërbejmë. Korça ka një traditë të gjatë dhe të shquar të arsimit, kulturës dhe jetës intelektuale. Dituria dhe të mësuarit kanë formësuar identitetin e këtij qyteti, dhe Universiteti ynë ka një përgjegjësi të rëndësishme në çuarjen përpara të kësaj tradite. Prandaj është veçanërisht domethënëse për ne të mirëpresim kolegët që ndajnë angazhimin tonë për zhvillimin e arsimit të lartë”.
Takimi vijoi diskutimet dhe sesionet e parashikuara në agjendë, ndërsa vlen të theksohet se rëndësia e tij shkon përtej dimensionit institucional. Ai hap horizonte të reja mundësish për studentët dhe stafin akademik: më shumë shkëmbime ndërkombëtare, projekte të përbashkëta kërkimore, përvoja profesionale dhe bashkëpunime me universitete evropiane.
Prania e partnerëve evropianë në Korçë është një dëshmi besimi në potencialin e Universitetit “Fan S. Noli” dhe një mundësi e re për të forcuar rolin e tij në hapësirën akademike evropiane.
 
Postimi i Mëparshëm
UNIVERSITETI “FAN S. NOLI”, NË QENDËR TË DIALOGUT DHE BASHKËPUNIMIT AKADEMIK EVROPIAN