Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

UNIKO LIDH MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME UNIVERSITETIN “OVIDIUS” TË RUMANISË

Në datën 18 nëntor në mjediset e Rektoratit u zhvillua një takim në kuadër të bashkëpunimit midis Universitetit “Fan S. Noli” dhe Universitetit “Ovidius” të Rumanisë. Në takim ishin të pranishëm drejtues të të dy institucioneve: zëvendësrektori për projektet dhe shkencën, UNIKO, dr. Benita Stavre, zëvendësrektori për mësimin, dr. Arto Adili, dekani i FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho dhe përgjegjësi i departamentit të Gjuhëve të Huaja, phd. Daniela Stoica, si dhe një delegacion nga Universiteti “Ovidius” i përbërë nga prof. as. dr. Kristina Dafinoju, prof. as dr. Vioronica Nedelcu dhe lektore, dr. Laura Pascale.

Diskutimet u fokusuan në veprimtaritë e përbashkëta që do të zhvillohen në kuadër të kësaj marrëveshjeje. Zëvendësrektorja,  dr. Benita Stavre u shpreh se ky partneritet mbështetet mbi një bazë konkrete bashkëpunimi, duke theksuar se ai mund të fillojë me shkëmbime të stafit e studentëve në kuadër të programit Erasmus+ që fillon së shpejti. Gjithashtu, ajo nënvizoi faktin se në UNIKO është ngritur dhe funksionon edhe Qendra Ndërdisiplinore për Studime Ballkanike, duke e parë si mjaft të rëndësishëm edhe kontributin që mund të japin pedagogët e Universitetit “Ovidius” në konsolidimin e mëtejshëm të saj. Miqtë nga Rumania vlerësuan pritjen dhe njëkohësisht rolin e veçantë që do të ketë ky bashkëpunim në ndërkombëtarizimin e Universitetit, çka është edhe një ndër prioritetet e Universitetit që ata përfaqësojnë. Në takim u diskutua edhe për veprimtari konkrete që mund të zhvillohen në këtë kuadër, ku prof. as. dr. Veronica Nedelcu u shpreh se, duke përfituar nga përvoja online, këto veprimtari mund të organizohen edhe në formë hibride.

Leave a Reply