Në datën 18 prill 2024 në qytetin e Korçës u zhvillua simpoziumi shkencor “Dy personalitete të shquara shqiptare në Perandorinë Osmane, Iliaz Bej Mirahori dhe Koçi Bej”. Të pranishëm ishin profesorë nga Universiteti i Stambollit, nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, nga Universiteti i Korçës, nga Universiteti i Tiranës etj.
Fjalën përshëndetëse në këtë simpozium e mbajti zëvendësrektori për mësimin, dr. Arto Adili, i cili edhe në emër të rektorit, prof. dr. Dhimitri Bello përgëzoi për organizimin e këtij simpoziumi Fondacionin “ALSAR”, Universitetin e Stambollit, Universitetin “Fan S. Noli”, Shoqatën e Vakëfeve në Korçë, si dhe profesorët e shquar nga universitete të tjera shqiptare për bashkëpunimin. Gjithashtu, ai u uroi mirëseardhjen edhe përfaqësuesve të pushteti vendor, komuniteteve fetare, përfaqësuesve të familjes së mirënjohur të Mytevelinjve, pedagogëve e studentëve, qytetarëve etj., të cilët e nderuan këtë simpozium me praninë e tyre.
Më pas, takimin e përshëndeti Atasheu për Arsimin i Ambasadës së Republikës së Turqisë në Shqipëri, z. Metin Bulut dhe kryetari i Këshillit të Qarkut Korçë, z. Erjon Nexhipi.
Në fjalën e tij kryetari i Fondacionit “ALSAR”, z. Mehdi Gurra u uroi mirëseardhjen pjesëmarrësve në emër të tij dhe të bashkorganizatorëve, ndërsa theksoi: “Nëpërmjet botimeve, konferencave dhe simpoziumeve, ne synojmë vazhdimisht të mbajmë gjallë të shkuarën tonë të pasur dhe t’i sjellim shoqërisë të dhëna të reja, të bazuara në dokumente të pazbardhura më parë”.
Në seancën I të simpoziumit, me drejtues prof. dr. Ali Jasharin, u mbajtën katër kumtesa: “Qytetërimet e Korçës deri te Iljas bej Mirahori”, nga prof. dr. Petrika Lera; “Jeta dhe veprat e bamirësisë së Iljaz Bej Mirahorit”, nga dr. Fatih Tığlı, Universiteti i Stambollit; “Kriza në udhëheqësinë e Shtetit Osman në prizmin e Traktatit të Koçi Beut,” nga prof. dr. Adnan Ismaili, dhe “Djegia e Voskopojës më 1767: arsyet, autorët”, nga prof. dr. Pëllumb Xhufi.
Më pas nën drejtimin e prof. dr. Pëllumb Xhufit u mbajt seanca II, e cila përmbante shtatë kumtesa: “Hafëz Ali Korça, katër shekuj pas Iljaz bej Mirahorit” ishte tema e kumtesës I të mbajtur nga prof. dr. Ali Jashari.
Për të vijuar më pas me kumtesat: “Koçi bej Korçari, nga të parët reformatorë teorikë osmanë; jeta dhe veprat”, nga prof. dr. Fikret Sarıcaoğlu; “Iljas bej Mirahori në Fondin Albanologjik të Bibliotekës së Korçës”, nga dr. Alba Kreka; “Profile aktuale të mendimit politik të Koçi Beut për funksionimin e strukturave shtetërorore”, nga prof. dr. Zyhdi Dervishi; “Themelimi dhe evoluimi historik e gjeografik i institucionit të vakëfit në zonën e Korçës”, nga studiuesi Petrit Zeneli; “Toponimia historike e krahinës së Vakëfeve”, nga studiuesja Eriona Pambuku, si dhe “Mytevelinjtë, Korça, vlerat dhe dinamika e familjes”, nga studiuesja Jetona Myteveliu, e cila mbylli edhe këtë simpozium.
Për pjesëmarrësit në simpozium u dhurua kolana e veprave të Hafiz Ali Korçës.