Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

U PROMOVUA NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” LIBRI I AUTORIT MAL BERISHA “AMBASADOR I PUSHTETIT TË BUTË”, NJË LIBËR HIMN PËR ATDHEDASHURINË

Në datën 17 dhjetor 2021, në mjediset e FEF u promovua libri i autorit Mal Berisha “Ambasador i pushtetit të butë”. Në hapje të veprimtarisë pedagogia Anjeza Vila shprehu kënaqësinë që diplomati Berisha erdhi për të promovuar librin e tij me të ri në Universitetin “Fan S. Noli”, një libër, i cili sjell përvojat e tij gjatë shërbimit diplomatik, në vitet 1992-2015, kur ishte përfaqësues i Shqipërisë në shtete, si: Stambolli, Londra, New York-u etj. Një dokumentar i shkurtër solli për të pranishmit jetën dhe karrierën e tij diplomatike, ndërsa për librin, vlerat dhe mesazhet që ai përcjell referuan edhe dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho e zëvendësdekani, dr. Orjon Ago. Më pas, takimi vijoi me pyetje e diskutime nga pedagogë e studentë të pranishëm,  të cilët  treguan interes në lidhje me librin e ri, por edhe në përgjithësi me punën e karrierën e tij diplomatike. Ish-ambasadori falënderoi Universitetin dhe Fakultetin për pritjen e ngrohtë. Ai iu përgjigj interesit të pjesëmarrësve, duke u ndalur konkretisht në disa nga momentet e ngjarjet më kryesore që kanë shoqëruar punën e tij si ambasador, të cilat i ka sjellë edhe në librin e tij më të ri. Sipas autorit Berisha “Ky libër ka për qëllim të japë një pamje të gjerë me informacion të pasur, për njerëz dhe ngjarje shpeshherë dramatike dhe emocionuese, ndonjëherë edhe të bukura e me sens humori, të një jete të tërë në shërbim të pakursyer ndaj vendit tonë”. 

Diplomati Mal Berisha zhvilloi një takim edhe me dekanin e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, si dhe vizitoi mjediset e bibliotekës “Kongresi i Manastirit” për të cilën dhuroi edhe disa nga botimet e tij.

Leave a Reply