Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

U NDERUA ME CERTIFIKATË MIRËNJOHJEJE PROF. AS. DR. BESNIK SKËNDERASI

Në datën 10 qershor 2020, u zhvillua ceremonia e vlerësimit të prof. as. dr. Besnik Skënderasi, përgjegjës i Departamentit të Agronomisë me certifikatë mirënjohjeje, me rastin e 60- vjetorit të lindjes. Në fjalën e hapjes dekani i Fakultetit të Bujqësisë, prof. as. dr. Gjergji Mero, vlerësoi profesor Besnik Skënderasin për kontributin e tij si drejtues departamenti, dhe për frymën bashkëpunuese si koleg e pedagog. Ai çmoi meritat e tij të veçanta në fushën e mbrojtjes së bimëve, si një studiues i suksesshëm dhe me arritje të shkëlqyera për rajonin e Korçës e më gjerë.  Profesor Gjergji Mero në emër të gjithë stafit të fakultetit i uroi atij jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme në karrierën profesionale. Vlerësime për profesor Besnikun, si koleg e mik i vyer, përcollën edhe prof. as. dr. Nikollaq Roshanji dhe prof. as. dr. Nevruz Zeka. Më pas, rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, i dorëzoi atij certifikatën e mirënjohjes me këtë motivacion: “Për përkushtimin, profesionalizmin, pasionin në punë dhe ndërgjegjen e lartë që ka treguar për vite me radhë si pedagog i agronomisë dhe përgjegjës departamenti në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit “Fan S. Noli”. Në shenjë mirënjohjeje nga drejtuesit e universitetit, stafi akademik dhe studentët me rastin e 60-vjetorit të lindjes”.

Prof. as. dr. Besnik Skënderasi falënderoi Rektorin e UNIKO dhe Dekanin e Fakultetit të Bujqësisë për këtë vlerësim, njëkohësisht dhe të gjithë kolegët e miqtë që e nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë ditë të veçantë.    

Leave a Reply