Në datën 20 tetor 2020 gjatë ceremonisë zyrtare në hapje të këtij turneu përshëndeti zëvendësrektori për shkencën dhe projektet në Universitetin “Fan S. Noli”, dr. Benita Stavre, e cila edhe në emër të rektorit, prof. dr. Dhimitri Bello u uroi suksese të rinjve pjesëmarrës në këtë kompeticion. Ajo tha se krahas veprimtarisë akademike, ky universitet vazhdimisht ka mirëpritur edhe veprimtaritë me karakter joakademik, të cilat kanë po të njëjtën jehonë, si dhe i frymëzojnë të rinjtë për të qenë më pranë sportit dhe aktiviteteve që zhvillojnë mendjen e mbrojnë shëndetin e tyre.
Kreu i Federatës së Sportit Universitar në Shqipëri, z. Besnik Veliu falënderoi dhe vlerësoi si modelin më të mirë në vend Shoqatën Sportive të Universitetit “Fan S. Noli” për organizimet e ndryshme që ka ndërmarrë në mjaft disiplina në rang kombëtar e ndërkombëtar. Gjithashtu, ai vlerësoi rëndësinë e këtyre veprimtarive jo vetëm në gjallërimin e jetës studentore dhe angazhimin e studentëve në veprimtari sportive, por edhe në zgjerimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.
Suksese u uroi pjesëmarrësve edhe kryegjyqtarja e këtij turneu, prof. dr. Irena Nikaj, dhe zëvendësrektori për mësimin, dr. Arto Adili. Gjatë hedhjes së shortit , ai shpjegoi me detaje skemën e zhvillimit të përballjeve mes 25 të rinjve pjesëmarrës, të cilat filluan në datën 21 tetor në mjediset e Qytezës së Fëmijëve, Korçë.