Në datën 30 korrik 2020, stafi akademik dhe studentët e Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës votuan për të zgjedhur organet dhe autoritetet drejtuese të institucionit. Sipas kryetarit të Komisionit Institucional Zgjedhor (KIZ), dr. Adrian Maho, procesi zgjedhor u zhvillua normalisht dhe me një pjesëmarrje të lartë të stafit dhe studentëve në të katërta qendrat e votimit të vendosura në mjediset e fakulteteve. Në fund të këtij procesi, KIZ shpalli rezultatet përfundimtare. Prof. dr. Dhimitri Bello u zgjodh rektori i ri i Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës, prof. as. dr. Gjergji Mero do të drejtojë Fakultetin e Bujqësisë edhe për një mandat tjetër, prof. as. dr. Jonela Spaho u zgjodh dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë dhe prof. as. dr. Ledina Alolli u zgjodh dekane e Fakultetit të Ekonomisë. Kandidati për dekan i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, nuk mundi të fitonte numrin e mjaftueshëm të votave për t`u shpallur fitues dhe në bazë të Rregullores për organizimin e zgjedhjeve për organet dhe autoritetet drejtuese të UNIKO, votimi për autoritetin drejtues të dekanit të Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane do të përsëritet pas 15 ditësh.
Gjatë këtij procesi u zgjodhën edhe 18 anëtarë të Senatit Akademik, 2 prej të cilëve janë studentë. Gjithashtu u votua edhe për 14 përgjegjësa departamentesh, ku u zgjodhën 11, ndërsa tre prej tyre nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave. Në bazë të rregullores, votimi për përgjegjës së njësisë bazë të Departamentit të Gjuhëve të Huaja, Departamentit të Bilogji-Kimisë dhe Departamentit të Infermierisë do të zhvillohen pas 15 ditësh.