SENATI AKADEMIK DHE BORDI I ADMINISTRIMIT MIRATUAN PROJEKTRAPORTIN VJETOR TË MËSIMDHËNIES DHE KËRKIMIT SHKENCOR PËR VITIN AKADEMIK 2023-2024, SI DHE TË VEPRIMTARISË FINANCIARE PËR VITIN KALENDARIK 2024

Në datën 28 dhjetor 2024, Senati Akademik dhe Bordi i Administrimit i Universitetit “Fan S. Noli” zhvilluan një takim gjatë të cilit u prezantua dhe u miratua projektraporti vjetor i mësimdhënies dhe kërkimit shkencor për vitin akademik 2023-2024, si dhe i veprimtarisë financiare për vitin kalendarik 2024.

Në takim u paraqit e detajuar ecuria në tri fushat kryesore: mësimdhënia, kërkimi shkencor dhe procesi financiar, të prezantuara përkatësisht nga zëvendësrektori për mësimin, prof. as. dr. Lorena Zeqo; zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, dr. Aida Mosko dhe administratori, z. Petrika Petro.

Në pjesën e mësimdhënies, raporti përmbledh realizimet dhe sfidat në ofrimin e kurrikulave, mbështetje për studentët dhe avancimin e cilësisë së mësimdhënies, duke theksuar përpjekjet për përmirësimin e metodologjive mësimore dhe rritjen e angazhimit të stafit akademik.

Në fushën e kërkimit shkencor, raporti analizon projektet e realizuara, publikimet dhe arritjet në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, duke identifikuar gjithashtu mundësitë për forcimin e bashkëpunimeve dhe kërkimeve të reja.

Ndërkohë, pjesa financiare e raportit përshkruan performancën e menaxhimit të burimeve financiare të Universitetit, shpenzimet e alokuara dhe investimet e bëra për mbështetje infrastrukturore dhe zhvillimin e kapaciteteve akademike, duke siguruar transparencë dhe përgjegjshmëri në përdorimin e fondeve.

Rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi ndër të tjera theksoi:

“Ky është një moment i rëndësishëm për të vlerësuar arritjet, sfidat dhe mundësitë që kemi kaluar si institucion gjatë periudhës raportuese, dhe gjithashtu për të parë përpara, për të ndarë me ju planet dhe objektivat për vitin akademik 2024-2025. Ky raport u përgatit falë kontributit të stafit akademik të 4 njësive kryesore të Universitetit, informacioneve të përditësuara të vëna në dispozicion nga personeli ndihmës-mësimor dhe sektorët e administratës së Universitetit. Ai përmban të dhëna të paraqitura në analizat përkatëse të Fakulteteve dhe synon jo vetëm të evidentojë arritjet e deritanishme në drejtimet e sipërpërmendura, por edhe të nxjerrë në pah dinamikën e Universitetit “Fan S. Noli” në lidhje me përmbushjen e kritereve të Deklaratës së Bolonjës dhe të Standardeve të Sigurimit të Cilësisë. Në këtë këndvështrim ai shërben njëkohësisht edhe si një raport vetëvlerësimi për treguesit e matshëm të cilësisë në këtë institucion dhe masat që duhen marrë në vijim për përmirësimet e nevojshme në këtë kuadër”.

 

 

Previous Post
NË NJË PROCES TË QETË E NORMAL, KËSHILLI STUDENTOR I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” VOTOI PËR TË ZGJEDHUR DREJTUESIT E RINJ PËR PERIUDHËN 2024-2026
Next Post
VITI I RI, PËR DREJTUESIT E RINJ TË KËSHILLIT STUDENTOR TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NISI ME NJË TAKIM ME REKTORIN, PROF. DR. LORENC EKONOMI DUKE SHËNUAR KËSHTU EDHE TAKIMIN E PARË TË PUNËS PËR TA NË KËTË MANDAT TË RI 2-VJEÇAR