Në datën 23 korrik 2021 zëvendësrektori për mësimin dr. Arto Adili priti në një takim znj. Oana Ursache, sekretare e shtetit për diasporën në republikën e Rumanisë dhe ambasadorin rumun në Shqipëri z. Octavian Serban. Në këtë takim u diskutua për rëndësinë e vazhdimit të kurseve të gjuhës rumune, të cilat lehtësojnë aksesin e të rinjve në aftësimin gjuhësor, si dhe për mundësinë e ofrimit të bursave të studimit në Rumani për studentët e UNIKO. Një tjetër pikë e këtij diskutimi ka qenë edhe shkëmbimi i studentëve dhe i stafit akademik midis universiteteve respektive, si një mënyrë kjo për të krijuar ura lidhëse dhe për të forcuar këto bashkëpunime jo vetëm për ruajtjen e gjuhës, por dhe për t’u njohur me kulturën e dy vendeve.
Delegacioni është pritur edhe nga dekania e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho, ku u diskutua në lidhje me mënyrat se si gjuha rumune, në veçanti dialekti arumun, duhet të ruhet dhe të trashëgohet në komunitet. Palët ranë dakord për trajnimin e pedagogëve për të dhënë mësim në dialektin arumun.