Në datën 31 janar 2024, rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, Korçë, prof. dr. Dhimitri Bello, zhvilloi disa takime me drejtuesit e Universitetit “Shën Kirili e Metodi” të Shkupit.
Në fillim ai u prit nga dekani i Fakultetit të Filologjisë, prof. dr. Vladimir Martinovski, ku merrnin pjesë zëvendësdekania e këtij fakulteti, prof. dr. Valbona Toska dhe shefi i departamentit të gjuhës shqipe, prof. dr. Ismet Osmani. Më pas takimet vazhduan në selinë e Rektoratit me rektoren e këtij universiteti, prof. dr. Biljana Angjelova.
Në këtë bisedë të ngrohtë dhe miqësore mikpritësit e informuan prof. Bellon për veprimarinë mësimore dhe shkencore që zhvillohet në fakultetet dhe institutet e këtij universiteti, duke u përqendruar sidomos në fushat me interes të ndërsjelltë, ku mund të bashkëpunohet midis dy institucioneve.
Prof. Bello dhe bashkëbiseduesit e tjerë vunë në dukje disa nga drejtimet ku mund të ketë një bashkëpunim të frytshëm, si në shkëmbimin e pedagogëve dhe të studentëve, në hapjen e programeve të përbashkëta të studimit, në hartimin e projekteve për zgjidhjen e problemeve të qenësishme në të dy vendet etj.
Në fund të takimit, prof. Dhimitri Bello e ftoi rektoren e Universitetit të Shkupit për një vizitë në Universitetin e Korçës, ku do të bëhet dhe nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy institucioneve.