Në Muzeun “Sterjo Spasse” në fshatin Glloboçeni, Bashkia Pustec u promovua monografia: “Integrime harmonike të pakicës maqedonase në Republikën e Shqipërisë-Rasti i minoritetit maqedonas në zonën e Prespës dhe Vërnikut” nga dr. Maria Dojçe, pedagoge pranë Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, Universiteti “Fan S. Noli”. Në këtë promovim përshëndeti ambasadori kroat në Shqipëri, z. Zlatko Kramariq, ambasadori maqedonas në Shqipëri, z. Danço Markovski, prof. as. dr. Jonela Spaho, dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, e cila foli për veprimtaritë shkencore dhe tryezat e rrumbullakëta të organizuara në bashkëpunim me institucione të Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me figurën e shkrimtarit të shquar Sterjo Spasse. Gjithashtu, ajo u ndal në organizimin e veprimtarive kulturore të shumëfishta që mund të promovojnë kulturën, letërsinë dhe artin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe të Kroacisë, përmes “Javës së kulturës” për Maqedoninë e Veriut, ndërsa për Kroacinë, ato mund të realizohen përmes mbështetjes së stafit akademik dhe të studentëve të Universitetit ‘Fan S. Noli”. Pedagogu i departamentit të “Gjuhës dhe letërsisë”, dr. Eris Rusi mbajti kumtesën “Letërsia bashkëkohore si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, që ishte një thirrje për krijuesit, lexuesit, por edhe për përfaqësuesit e institucioneve në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut me moton: “Letërsia bashkon, ndaj le të tërheqim lexuesin drejt letërsive tona të zgjojmë vëmendjen, shpirtin e kuriozitetit, dëshirën për lexim, si një mundësi e rrallë që i jep dritë ekzistencës sonë.”
Lidhjet kulturore midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kroacisë u pasqyruan gjatë gjithë këtij promovimi, ku ishin të pranishëm edhe Prefekti i Qarkut të Korçës, z. Nertil Jole, Kryetarja e Këshillit të Qarkut Korçë, znj. Ana Verushi, Kryetari i Bashkisë Pustec, z. Pali Kolefski, prof. dr. Katerina Todoroska nga Instituti i Historisë Kombëtare në Shkup dhe të ftuar të tjerë.
Promotorë të librit ishin prof. dr. Gjergji Pendavinji nga Universiteti “Fan Noli”, znj. Jorida Tollkuçi, drejtore e Bibliotekës “Thimi Mitko”, Korçë, z. Vasil Sterjovski, si dhe autorja dr. Maria Dojçe.
Ajo falënderoi Shoqatën “Sonce”, Bashkinë Pustec dhe Universitetin “Fan S. Noli” për këtë organizim, si dhe të gjithë ata që vlerësuan këtë studim real, i cili fokusohet në ndikimet e ndërsjella socio-kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe anëtarëve të komunitetit maqedonas në qarkun e Korçës.