Në datat 27-28 shkurt-1 mars 2025 në Universitetin “Fan S. Noli” zhvilloi punimet konferenca përfundimtare e projektit Erasmus+ U2SID, duke shënuar përmbylljen e dy viteve punë për të nxitur transformimin dixhital gjithëpërfshirës në Arsimin e Lartë në Ballkanin Perëndimor.
Ky projekt, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian ka krijuar mundësi për shkëmbimin e njohurive, zhvillimin e aftësive dixhitale dhe forcimin e bashkëpunimeve midis universiteteve, bizneseve, politikëbërësve dhe organizatave të shoqërisë civile.
Programi “Digital Literacies Accelerator” ka qenë një nga shtyllat kryesore të U2SID, duke ofruar trajnime dhe mobilitet për studentët dhe pedagogët, ndërsa “Sfida e Transformimit Dixhital” u ka mundësuar ekipeve të studentëve dhe pedagogëve të krijojnë projekte inovative për të adresuar nevoja reale të shoqërisë.
Gjatë konferencës u prezantuan arritjet kryesore të projektit, u diskutuan sfidat për të cilat do të ofrohen rekomandime për hapat e mëtejshëm, duke siguruar që ndikimi i U2SID të vazhdojë edhe pas përfundimit të tij.
Në ditën e parë u zhvillua ëorkshopi me temë “Sustainability of Digital Transformation Challenge and Digital Literacies Programme”, i cili u fokusua në qëndrueshmërinë e transformimit dixhital dhe programit të aftësive dixhitale.
Diskutimi përfshiu sugjerime dhe analiza mbi mënyrat për të siguruar një ndikim të qëndrueshëm të zgjidhjeve dixhitale të zhvilluara nga studentët dhe akademikët përmes këtij programi.
Takimin e përshëndeti edhe zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, dr. Aida Mosko.
Në panel morën pjesë përfaqësues të universiteteve, industrisë dhe shoqërisë civile, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi rëndësinë e të mësuarit përmes projekteve dhe qasjen bashkëpunuese në zgjidhjet dixhitale për sfidat lokale.
Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu mbi mënyrat e përmirësimit të këtij programi për të ndihmuar më tej studentët dhe komunitetin akademik.