Studentët e vitit II të programeve të studimit Bachelor të Fakultetit të Ekonomisë zhvilluan në lëndën Manaxhimi i Operacioneve një veprimtari praktike të bazuar në një qasje loje për të simuluar funksionimin e kompanive prodhuese dhe ndërveprimin e kompanive me klientët dhe konkurrentët.
Duke patur parasysh faktin se pak nga studentët kanë patur përvoja industriale, në vend të leksioneve të thjeshta, u aplikua një qasje loje për të trajtuar disa koncepte të menaxhimit të operacioneve.
Studentët u ndanë në një grup klientësh dhe disa grupe/kompani konkurruese-prodhuese të dhuratave. Duke marrë role dhe duke luajtur lojën, studentët zhvilluan njohuritë dhe aftësitë e tyre për të arritur qëllime specifike, të luajtura brenda një riprodhimi të botës reale të biznesit.
Reagimet e studentëve ishin pozitive ndaj lojës dhe të nxënit përmes lojërave edukative.
Pedagogia e lëndës Manaxhimi i Operacioneve, prof. as, dr. Mirela Cini u shpreh: “Stili i të nxënit i gjeneratës së re është shumë i ndryshëm nga ai i brezave të mëparshëm. Prandaj, ne si mësimdhënës duhet të përdorim mjete të reja mësimore për të kapërcyer hendekun midis mungesës së përvojës së studentëve dhe përmbajtjes së teksteve mësimore, dhe për të ndryshuar formatin e leksioneve nga mësimdhënie deduktive në induktive, ose një kombinim të të dyjave. Metoda të tilla si ajo e lojës janë motivuese, relaksuese dhe efektive për studentët”.














