Në datën 9 shkurt 2024, ministri i Mbrojtjes, z. Niko Peleshi, zëvendësministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Arjan Jaupllari ishin në Universitetin “Fan S. Noli”, ku u takuan me drejtues të këtij Universiteti dhe të Fakultetit të Bujqësië, kryetarin e Këshillit të Qarkut Korçë, z. Erjon Nexhipi e me drejtues të QTTB-së.
Në qendër të takimit ishte diskutimi konkret për fillimin e punës për ngritjen e një laboratori të përbashkët që të shërbejë si një qendër kërkimore, e cila të jetë në funksion të fermerëve, specialistëve të bujqësisë, pedagogëve e studentëve si hapi i parë i konkretizimit të bashkëpunimit midis Universitetit “Fan S. Noli’ dhe Qendrës së Transferimit të Teknologjive Bujqësore, Korçë.
Theksi u vu në dobinë që do të sjellë ngritja e këtij laboratori për një lidhje të qëndrueshme dhe funksionale midis dijes dhe fushës e bujqësisë.
Konkretisht në këtë laborator për ngritjen e të cilit puna ka filluar do të ofrohen shërbime për fermerët, do të kryhen praktikat e studentëve të FB, si dhe do të jetë në mbështetje të punës kërkimore të pedagogëve e specialistëve të bujqësisë.