Në datën 23 janar 2025 Universiteti “Fan S. Noli” dhe Fondacioni ALSAR zhvilluan një veprimtari për paraqitjen e dy botimeve “Alfabetarja e Gjuhës Shqip 1879” nga prof. Emil Lafe, prof. Seit Mansaku dhe prof. Enver Hysa dhe “Fjalori i Homonimeve Leksikore në Gjuhën Shqipe”, hartuar nga prof. Ali Jashari, prof. Bahtijar Kryeziu dhe dr. Olger Brame, si dhe për akordimin e bursave nga Fondacioni ALSAR për 24 studentë të UNIKO, ekselentë dhe studentë në vështirësi ekonomike.
Takimin e hapi zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, dr. Aida Mosko, e cila përshëndeti të pranishmit, ndërsa fjalën e mirëseardhjes e mbajti rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi.
Më pas, përshëndetën në këtë takim edhe z. Mehdi Gurra, Kryetar i Fondacionit “ALSAR” dhe z. Metin Bulut, atashe për arsimin pranë Ambasadës të Republikës së Turqisë në Tiranë.
Në fjalën e tij profesor Emil Lafe dhe prof. dr. Ali Jashari folën për librin “Alfabetarja e gjuhës shqip”, botuar në Stamboll në vitin 1879, i cili është një libër i vyer për gjuhën dhe kulturën tonë. Falë punës që kanë bërë profesorët për përgatitjen e tij si një botim anastatik dhe tejshkronjëzim në alfabetin e sotëm dhe këtë libër sot e kanë në dorë studiuesit, shkollarët, mësuesit etj.
Takimi vijoi me fjalën e prof. dr. Ali Jashari, si një ndër hartuesit e “Fjalorit të homonimeve leksikore në gjuhën shqipe”, së bashku me prof. Bahtijar Kryeziu nga Universiteti i Prishtinës dhe dr. Olger Brame, UNIKO. Ky fjalor përbën një vepër të veçantë në traditën leksikografike shqiptare në shërbim të nxënësve, të studentëve dhe të studiuesve, për të njohur më mirë këtë shtresë të leksikut të shqipes dhe për zgjerimin e kulturës gjuhësore në përgjithësi.
Takimi u përmbyll me shpërndarjen e bursave për 24 studentë ekselentë dhe ata në vështirësi ekonomike, akorduar nga ky fondacion.