Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

MESAZH I REKTORIT TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” TË KORÇËS, PROF. DR. DHIMITRI BELLO, ME RASTIN E FILLIMIT TË VITIT TË RI AKADEMIK 2020-2021


Prof. dr. Dhimitri Bello

Të nderuar kolegë!
Të dashur studentë!

Do të dëshiroja shumë që sot, në këtë ditë të shënuar për të gjithë ne, të përcillja një urim të drejtpërdrejtë në mjediset tona universitare, nëpër auditorë që sot duhej të hapnin dyert për të filluar veprimtarinë e përvitshme mësimore, edukative, shkencore etj. Por, të detyruar nga situata e pandemisë dhe për t’i paraprirë një situate ndoshta jo të mirë që mund të ndikojë në shëndetin tonë, po bëhet e pamundur që kjo gjë të realizohet siç ka ndodhur tradicionalisht.
Të nderuar kolegë!
Ju uroj një vit të suksesshëm në misionin tuaj të rëndësishëm në përgatitjen e specialistëve të zotë në fusha të caktuara të zhvillimit të shoqërisë. E kuptoj shumë mirë dëshirën e çdo mësimdhënësi për të qenë direkt me studentët e vet, për të përcjellë dhe përfituar emocione që mund të na japë në të vërtetë vetëm auditori. Por, shpreh bindjen se edhe nëpërmjet platformave, ju do të mund të përcillni vlerat e duhura, duke iu përafruar sadopak leksioneve në auditor, ku çdo student të jetë pjesë aktive e debatit në favor të mësimdhënies.
Të dashur studentë!
Së bashku me urimin për një fillim të mbarë, studime të frytshme dhe rezultate të larta, dua t’ju garantoj mësimdhënie sipas të gjithë parametrave që na dikton koha. Edhe pse një fillim jo i zakonshëm, veprimtaria akademike do të vazhdojë me efektivitetin e duhur mësimor e shkencor, ndaj dhe ju bëj thirrje për mirëkuptim dhe të regjistroheni  në platformat online që ofron universiteti përmes të cilave do të zhvillohet procesi mësimor deri në rikthimin në auditorë.
Dua të përcjell një urim të veçantë për studentët që sot duhej t’u drejtoheshin për herë të parë auditorëve të dijes. Në emër të gjithë stafit akademik ju falënderoj për zgjedhjen tuaj, duke u bërë pjesë e Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës. Po kështu, dua t’ju  siguroj se nuk do zhgënjeheni kurrë për zgjedhjen që keni bërë.
Pranimi në universitet dhe dita e parë e jetës studentore, janë, pa dyshim, ngjarje me rëndësi në jetën e çdonjërit. Është dita që besohet se do të çelë dyert për realizimin profesional të gjithsecilit. Dhe kjo ditë do të dëshironim të ishte sa më e bukur, me ceremoni, urime dhe emocione të drejtpërdrejta.
Uroj dhe shpresoj që kjo gjendje të jetë sa më afatshkurtër dhe dita kur ne t’i kthehemi auditorëve të jetë sa më e afërt, duke vijuar normalisht me të gjitha veprimtaritë e larmishme studentore.

 

Leave a Reply