111 PJESËMARRËS NGA 27 UNIVERSITETE TË EVROPËS JUGLINDORE, SI DHE TË FTUAR TË TJERË ISHIN SOT TË PRANISHËM NË CEREMONINË ZYRTARE TË HAPJES SË OLIMPIADËS XIX STUDENTORE BALLKANIKE TË MATEMAIKËS QË U ZHVILLUA NË UNIKO

Në datën 5 mars 2025 u zhvillua ceremonia zyrtare e hapjes së Olimpiadës XIX të Matematikës për Studentët e Universiteteve të Evropës Juglindore e organizuar nga Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Shoqatën e Matematikës së Evropës Juglindore dhe Shoqatën Shqiptare të Matematikës.

Mbi 100 pjesëmarrës të 27 universiteteve nga Shqipëria, Greqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Rumania, Turkmenistani dhe të ftuar të tjerë u përshëndetën fillimisht nga rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili ndër të tjera theksoi: “Ky aktivitet ndërkombëtar mbledh së bashku studentë të matematikës nga shtete të ndryshme të Evropës Juglindore, duke ofruar një mundësi të shkëlqyer për shkëmbime përvojash, njohurish dhe ide në një nga fushat më të rëndësishme të shkencës”

Më pas përshëndetën në këtë ceremony edhe zëvendëskryetari i Bashkisë Korçë, z. Kletion Kita, prefekti i Qarkut Korçë, z. Nertil Jole, si dhe z. Adrian Naço, president i Shoqatës Shqiptare të Matematikës. Ata shprehën vlerësimet e tyre për këtë organizim madhështor, duke theksuar se kjo është një tjetër arritje për Universitetin “Fan S. Noli” dhe për procesin e ndërkombëtarizimit të tij.

Pas prezantimit të të gjithë pjesëmarrësve, një përshëndetje e veçantë u bë për të pranishmit nëpërmjet valles nga nxënës të shkollës greke “Omiros” në Korçë dhe Ansambli “Skënderbeu” i qytetit të Korçës.

 

 

Previous Post
Thirrje për mobilitet stafi në Alexandru Ioan Cuza University of IASI (UAIC), Rumani
Next Post
Hapet thirrja për mobilitet studentësh në Universitetin Aristotel të Selanikut gjatë semestrit të dimrit, viti akademik 2025-2026