Në datën 18 prill 2025 një delegacion i përbërë nga staf akademik, ndihmësakademik dhe administrativ i Universitetit “Isa Boletini” i Mitrovicës vizitoi Universitetin “Fan S. Noli”.
Fillimisht drejtues të dy universiteteve zhvilluan një takim në mjediset e Rektoratit, ku u diskutua për mundësitë konkrete për bashkëpunim, me qëllim që marrëveshjet e nënshkruara të mos mbeten vetëm në letër. Ata u ndalën në projekte e veprimtari të përbashkëta, në shkëmbime të stafit e studentëve etj.
Më pas, stafet e të dy institucioneve zhvilluan një takim të përbashkët në mjediset e amfiteatrit të Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë.
Në fjalën e mirëseardhjes rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi ndër të tjera tha: “Kjo vizitë njëditore për ne është më shumë se një takim formal, është një mundësi konkrete për shkëmbim përvojash, për njohje më të thellë e forcimin e lidhjeve mes dy universiteteve që ndajnë shumë të përbashkëta. Roli i stafit ndihmësakademik dhe administrativ në funksionimin e Universitetit është themelor. Ju jeni ata që mbani në këmbë strukturën e përditshme që nga shërbimet për studentët, mbështetja për stafin akademik, organizimi i dokumentacionit, teknologjia, burimet njerëzore e deri te komunikimi institucional dhe menaxhimi financiar”.
Ai i ftoi më pas miqtë nga Kosova të njihen nga afër me Universitetin “Fan S. Noli”, të vizitojnë mjediset dhe strukturat e UNIKO, të shkëmbejnë ide me kolegët dhe të eksplorojnë mënyrat se si organizohet jeta universitare në Korçë.
Takimin e përshendeti edhe rektorja e Universitetit “Isa Boletini”, Mitrovicë, prof. dr. Nurten Deva, e cila falënderoi Universitetin tonë për pritjen e organizuar, duke theskuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave ndërmjet kolegësh.
Më pas, miqtë nga Kosova vizituan mjediset e UNIKO, ku u mirëpritën në takime edhe nga drejtues e stafi i fakulteteve të tij.