“IMPAKTI I GJUHËVE TË HUAJA NË ZHVILLIMET SOCIALE DHE EKONOMIKE”-DEBAT STUDENTOR I ORGANIZUAR MIDIS DEPARTAMENTIT TË “GJUHËVE TË HUAJA”, UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” DHE FAKULTETIT TË GJUHËVE TË HUAJA, UBT, PRISHTINË

Në datën 27 maj 2022, Universitet “Fan S. Noli” dhe Kolegji Universitar për Biznes dhe Teknologji, (UBT) Prishtinë organizuan debatin studentor me pjesëmarrjen e studentëve të programeve “Bachelor” të Gjuhëve të Huaja të dy universiteteve me temë: “Impakti i gjuhëve të huaja në zhvillimet sociale dhe ekonomike”

Gjatë takimit të mirëseardhjes në mjediset e Rektoratit të Universitetit “Fan S. Noli”, zëvendësrektori për kërkimin dhe shkencën, dr. Benita Stavre falënderoi UBT për bashkëpunimin në këtë nismë të ndërmarrë nga Universiteti ynë me synimin për ta vazhduar edhe në të ardhmen, ku të ketë pjesëmarrje edhe nga universitete të tjera. Ajo u tha studentëve që të mos e shohin këtë debat si një konkurs të mirëfilltë, por si një veprimtari, e cila do të krijojë ura komunikimi dhe bashkëpunimi mes tyre dhe mes stafit akademik edhe në veprimtari të tjera. Falënderime për ftesën në këtë organizim shprehu në emër të UBT edhe dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UBT, dr. Alma Lama, duke e vlerësuar këtë nismë si një përvojë të re që padyshim shërben për të shkuar një hap më lart.

Pedagogia, dr. Juliana Çyfeku bëri më pas një prezantim të strukturës së organizimit të këtij debati, ku u hodh edhe shorti për ndarjen e studentëve në sesionet përkatëse. Nëpërmjet argumenteve ata trajtuan, sipas këndvështrimit të tyre temat e përzgjedhura, për të cilat morrën edhe vlerësimet e pedagogëve, anëtarë të jurive të ngritura për këtë qëllim.

Në fund të tri sesioneve të debatit u shpërndanë certifikata vlerësimi për studentët fitues, si dhe për studentët pjesëmarrës.

Pedagogë e studentë të dy universiteteve u shprehën të kënaqur që u bënë pjesë e kësaj përvoje kaq të veçantë. Pedagogët përgëzuan të gjithë studentët pjesëmarrës për aftësitë e treguara dhe për përgatitjen serioze si nga ana teorike, ashtu edhe nga ajo praktike, duke treguar nivel të lartë komunikimi.

Universiteti “Fan S. Noli” në këtë debat u përfaqësua nga studentët e viteve I dhe II të programit të studimit “Bachelor” në “Gjuhë Angleze”: Eriona Dëmba, Kristina Baçevski, Kristi Shena, Julja Berberi, Grasela Shkëmbi, Fabian Sinani, Thomajda Dhimitri, Esi Kllogjri.

Previous Post
“AUDITIMI I PAVARUR”-LEKSION I HAPUR ME STUDENTË TË PROGRAMEVE MASTER PROFESIONAL NË “FINANCË-KONTABILITET” DHE MASTER I SHKENCAVE NË “FINANCË”, KU E FTUAR ISHTE ZNJ. ANILA ÇUNOTI, KONTABËL I MIRATUAR, AUDITUES LIGJOR
Next Post
“EDUCATION USA”, TIRANË NË BASHKËPUNIM ME UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” ORGANIZOI NJË TAKIM ME STUDENTËT MBI MUNDËSITË E STUDIMEVE NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS