Departamenti i Gjuhës dhe i Letërsisë/Departamenti i Agronomisë
Drejtues i projektit: Prof.as.dr. Anyla Saraçi
Kohëzgjatja e projektit: 12 muaj
Viti 2026
Qëllimi i projektit:
Ky projekt synon të dokumentojë dhe vlerësojë taksonominë popullore si një mjet thelbësor për sigurinë ushqimore, shëndetin publik dhe identitetin kulturor në komunitetet rurale. Përmes studimit të klasifikimit tradicional, projekti rreket të evidentojë emërtimet e bimëve, klsifikimin folkbiologjik dhe njohuritë praktike mbi përdorimin e bimëve dobishme për qëllime ushqimore, mjekësore, artefakte etj. Në këtë mënyrë, projekti jo vetëm që ruan trashëgiminë biokulturore dhe transmetimin e saj ndër breza, por edhe fuqizon mirëqenien e komunitetit duke mbrojtur vlerat tradicionale dhe burimet natyrore që formësojnë profilin e tyre unik mjedisor.
Objektivat Specifikë të projektit:
1. Dokumentimi dhe klasifikimi (folktaksonomia)
1.a Identifikimi i nomenklaturës lokale: Të dokumentohen emrat popullorë të bimëve të egra që përdoren në Devollin e Sipërm, duke i krahasuar ato me emërtimet shkencore (taksonominë botanike).
1.b Analiza e kritereve të klasifikimit: Të analizohen kriteret që përdorin banorët për të grupuar bimët (semantika sipas habitatit, formës, shijes apo rrezikshmërisë).
2. Përdorimi praktik (Etnobotanika)
2.a Inventarizimi i përdorimeve fitoterapeutike: Të regjistrohen mënyrat dhe metodat tradicionale të përgatitjes së bimëve për qëllime mjekësore.
2.b Vlerësimi i burimeve ushqimore: Të identifikohen bimët e egra që shërbejnë si bazë për ushqim sezonale dhe të dokumentohen teknikat e përdorimit, vjeljes dhe konservimit të tyre.
2.c Dokumentimi i kulturës materiale: Të përshkruhet përdorimi i bimëve në zejtari dhe artefakte, në besimet popullore dhe religjioze, duke evidentuar lidhjen mes natyrës dhe mënyrës së jetesës të banorëve të zonës.
3 Vlerësimi i gjendjes së njohurive tradicionale në zonën e studimit
3.a Vlerësimi i kërcënimeve për humbjen e njohurive tradicionale dhe përdorimit të leksikut terminologjik fitonimik të zonës.
3.b Rekomandime për rivitalizimin e njohurive tradicionale në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të zonës.
4. Trashëgimia dhe transmetimi i njohurive
4.a Studimi i transmetimit nga brezi në brez: Të identifikohet shkalla e humbjes së informacionit etnobotanik mes brezave të vjetër dhe të rinjve në Devoll.
4.b Promovimi i identitetit kulturor përmes përfshirjes të studentëve në kërkim dhe komunitet lokale duke forcuar ndjenjën e përkatësisë dhe mbrojtjen e dijeve lokale.

