Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

FONDACIONI SHQIPTARO-AMERIKAN PËR ZHVILLIM DHUROI LIBRA PËR FAKULTETIN EKONOMIK DHE BIBLIOTEKËN SHKENCORE TË UNIKO

Në datën 26 tetor 2021 në mjediset e Bibliotekës Shkencore, Universiteti “Fan S. Noli”, u zhvillua një takim për dhurimin e librave nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) për Fakultetin Ekonomik dhe Bibliotekën Shkencore të këtij universiteti. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm pedagogë të FE, dekania prof. as. dr. Ledina Alolli vlerësoi librat e dhuruar si një vlerë e shtuar për Fakultetin. Librat do të jenë në mbështetje të pedagogëve dhe studentëve, duke u ofruar njohuritë që kërkon sot tregu global i punës.

Zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet, dr. Benita Stavre falënderoi fondacionin për dhurimin e librave, i cili vjen në kuadër edhe të formave të tjera të bashkëpunimit që UNIKO ka me AADF. Ajo veçoi projektin CleanScore, i cili ofron një mënyrë bashkëkohore në procesin e vlerësimit të studentëve në mënyrë elektronike. Ajo nënvizoi, se në kuadër të këtij bashkëpunimi janë publikuar edhe një sërë thirrjesh për përfshirjen e stafit dhe studentëve në projekte të ndryshme brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Më pas pedagogët e FE bënë një vlerësim të librave sipas profileve përkatëse, duke i parë si mjaft të vlefshëm për punën e tyre dhe njëkohësisht ua rekomanduan edhe studentëve pasi këta libra sjellin shembuj konkretë dhe aktualë nga bota e biznesit.

Z. Sokol Ymeri, menaxher projekti për edukimin pranë AADF, u shpreh se përzgjedhja e këtyre titujve nuk ishte rastësore, por u bë mbi bazën e propozimeve të pedagogëve. Ai theksoi se janë në punim e sipër edhe botime të tjera jo vetëm në fushën e ekonomisë, por dhe në atë të mësimdhënies.

Në fund të takimit u nënshkrua edhe kontrata e dhurimit të librave ndërmjet AADF dhe UNIKO.

Leave a Reply