Në datën 29 maj 2025, Fakulteti i Bujqësisë në Universitetin “Fan S. Noli”, në bashkëpunim me Shoqatën “Miqtë e Korçës” organizoi takimin ndërkulturor të shkëmbimit rinor në kuadër të nismës së Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO).
Takimin e hapi pedagogu i FB, dr. Nikolin Karapançi, ndërsa të rinjtë i përshëndeti edhe dekani i FB, prof. as. dr. Besnik Skënderasi, i cili theksoi angazhimin e fortë të universitetit në mbështetjen e iniciativave rajonale për të rinjtë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë.
Sipas z. Gjergji Gjinko, Drejtues i Shoqatës “Miq të Korçës”, kjo veprimtari përbën një moment të rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit ndërkufitar të të rinjve për çështje të mprehta mjedisore, duke promovuar Axhendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor.
Ky takim bëri bashkë studentë universitarë, staf akademik, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë rajonalë nga rajoni ËB6 për të diskutuar zhvillimin e qëndrueshëm, përfshirjen rinore dhe bashkëpunimin rajonal.
Partnerë të dalluar nga rajoni, përfshirë organizatat SEGA (Maqedonia e Veriut) dhe CSD (Mali i Zi), shprehën mbështetjen dhe ndanë përvojat e tyre në nxitjen e veprimit mjedisor.
Znj. Alda Kondakçi, zyrtare e Programit të Thirrjeve të Hapura në RYCO, prezantoi më pas mundësitë e financimit dhe rolin e RYCO-s në forcimin e bashkëpunimit rinor dhe integrimit evropian përmes iniciativave me fokus në mjedis.
Studentët e Universitetit “Fan S. Noli” prezantuan projekte interesante mbi inovacionin e gjelbër dhe aktivizmin rinor, duke nxitur një sesion të gjallë me pyetje-përgjigje e diskutime nga të pranishmit.