Tel: +355 822 42230 | Email: rektorati@yahoo.com

“EDUKIMI MULTIKULTUROR”-VEPRIMTARI E DEPARTAMENTIT TË SHKENCAVE SOCIALE, FSHNH

Në datën 28 maj 2021, Departamenti i Shkencave Sociale i FSHNH dhe Qendra për Bashkëpunim Ballkanik (LOJA) me vendodhje në Maqedoninë e Veriut, organizuan një veprimtari të përbashkët me temë “Edukimi multikulturor”, ku morën pjesë studentë dhe pedagogë të departamentit, si dhe studentë të programeve të mësuesisë nga 5 universitetet kryesore të Maqedonisë së Veriut, bashkë me anëtarë të stafit dhe trajnerë të kësaj qendre.

Elona Kodhel, pedagoge e Departamentit të Shkencave Sociale, në cilësinë e organizatores së kësaj vizite studimore, në fjalën e saj e vlerësoi këtë veprimtari si një mundësi të mirë diskutimi në auditorët e fakultetit mes kolegësh dhe studentësh që janë pjesë e programeve të studimit dhe kurrikulave universitare të mësuesisë, duke theksuar se koncepti i edukimit multikulturor nuk është i ri, por është një koncept që mbështetet në elementë të edukimit, gjithmonë e në zhvillim.

Në fjalën e saj, përgjegjësja e Departamentit të Shkencave Sociale, dr. Magdalini Vampa vlerësoi këtë bashkëpunim me pedagogë dhe studentë nga Maqedonia e Veriut, si dhe bëri një ilustrim përshkrues mbi ndikimin e kulturës në arsim dhe mjediset e institucioneve arsimore dhe rëndësinë që ka pasur ajo në realitetin shqiptar.

Dr. Mitjana Profiri, pedagoge e Departamentit të Shkencave Sociale u ndal në një tematikë të lidhur drejtpërdrejt me edukimin multikulturor, duke trajtuar aspektet gjinore dhe ndikimin e tyre në edukim.

Nga miqtë e ftuar në këtë veprimtari, në cilësinë e koordinatores dhe trajneres në qendrën Loja, Egzona Musliu bëri një prezantim të nismës për edukimin multikulturor dhe punën konkrete që realizon kjo qendër me studentët e programeve të mësuesisë në kuadër të edukimit multikulturor.

Takimi u shoqërua nga pyetje dhe diskutime nga studentët dhe pedagogët e pranishëm.

Leave a Reply