Në datën 4 tetor 2021, në Fakultetin e Edukimit dhe Filologjisë u zhvillua një veprimtari letrare për promovimin e librit të autorit Visar Zhiti me titull “Dorëshkrimet e fshehta të burgut”. Në këtë veprimtari të veçantë, ku ishin të ftuar pedagogë e studentë të Universitetit të Korçës, krijues, si dhe të afërm e miq të autorit, fillimisht e mori fjalën dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho. Ajo u ndal në krijimtarinë e autorit dhe në veçanti në poezinë e tij me vlerë të shumfishtë: “Këto poezi janë dëshmi e gjallë se si vuajtja e madhe mund të shndërrohet në vlerë shpirtërore. Visar Zhiti është një zë unik i patjetërsueshëm në letërsinë shqipe, me një ndjeshmëri të tejskajshme, një poezi që del nga skutat më të thella të shpirtit për të frymëmarrë në terr si një lloj katarsisi, por edhe hakmarrjeje ndaj shkaktarëve të këtij mundimi. Kjo është poezia e vërtetë. Ajo që ka fuqi të na ndryshojë ne si lexues, të na bëjë më humanë e ta duam pa kushte njëri-tjetrin”.
Për veprën dhe krijimtarinë e Visar Zhitit kanë dhënë vlerësimet e tyre edhe pedagogët, dr. Ilir Shyta e Neli Naço. Ndërsa për pedagogun, dr. Eris Rusi, si një ndër organizatorët e kësaj veprimtarie të veçantë, FEF ka mirëpritur emra të rëndësishëm të letërsisë dhe kulturës shqipe, duke treguar vëmendje institucionale. Ai u shpreh se Visar Zhiti duhej të vinte në Korçë për të prezantuar veprën e tij letrare dhe të kuptonte se rrënjët e shpirtit nuk kanë nevojë për tokë që të ngulen mirë. Në rastin e shkrimtarëve ato mund të lidhen me lexuesit dhe shpirtin e tyre.
Autorin Zhiti e përshëndeti dhe e përgëzoi për këtë botim edhe miku i tij i rinisë, liriku korçar Skënder Rusi, duke sjellë edhe disa kujtime të veçanta nga puna me të.
Për librin ditar të Visar Zhitit foli edhe poeti i ri Andreas Dushi, i cili u kujdes në mënyrë të veçantë për botimin e poezive, të cilat mbartin një tërësi motivesh, duke marrë dyfish vlerë.
Universiteti “Fan S. Noli” e nderoi shkrimtarin Visar Zhiti me Certifikatën e Mirënjohjes me këtë motivacion: “Krijuesit që ka ditur ta shndërrojë dhimbjen në art dhe të ndërtojë simbolikën e së shkuarës, përmes rrëfimit artistik që është kujtesë e çmuar në letërsinë shqipe”.
Mes emocionesh poeti Visar Zhiti falënderoi Universitetin për këtë vlerësim dhe organizatorët e këtij takimi, të cilët lanë mbresa shumë të veçanta tek ai. Gjithashtu, ai falënderoi edhe Korçën, e cila si një metropl kulture gjithmonë i ka mirëpritur dhe vlerësuar krijuesit: “Sot ndihem i shpërblyer. Këtë libër e shkrova në një kohë kur nuk e dija nëse do të kishte lexues e do të botohoj një ditë. Por gjithmonë ka shpresë”.
Veprimtaria u shoqërua me recitimin e disa prej poezive të Visar Zhitit botuar në librin“Dorëshkrimet e fshehta të burgut”.