Në datën 23 prill 2021, Dita Botërore e Librit në Univeristetin “Fan S. Noli” të Korçës, përkoi me krijimin e grupeve të leximit në Korçë dhe në Devoll, një projekt që sipas pedagogut dr. Eris Rusi synon të afrojë çdo lexues në klube leximi, si një mënyrë që rrit ndjeshmërinë artistike për të qenë pjesë e bashkëbisedimeve me autorë të veprave të zgjedhura letrare. Në këtë mënyrë krijimi i një komuniteti lexuesish, do t`i japte edhe më tepër dinamizëm artistik jetës komunitare
Po me rastin e kësaj dite, u zhvillua një veprimtari letrare, me interpretime dhe diskutime rreth librit “Në ballkonin e vjetër të vjeshtës”, shkruar së fundi nga autorja korçare, Gerta Bandilli. Veprimtaria u organizua në mjediset e Bibliotekës Shkencore të UNIKO dhe në të ishin të pranishëm pedagogë e studentë të departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, FEF, nxënës të shkollave të qytetit, të rinj të apasionuar pas leximit dhe të ftuar të tjerë. Në fjalën e hapjes pedagogu, dr. Eris Rusi u shpreh se poetja është e vetëdijshme se zëri i saj jehon si një nevojë për të dalë nga e zakonshmja dhe rutina e të zymtës ciklike që ndodh të na përfshijë shpeshherë. Gjatë diskutimeve pjesëmarrësit trajtuan disa nga mesazhet kryesore që përcjell ky libër, duke u ndalur kryesisht te liria, dashuria, dhimbja, realiteti etj. E gjithë veprimtaria u shoqërua me interpretime të poezive të shkëputura prej tij, ndërsa të pranishmit i drejtuan autores edhe pyetje në lidhje me temat dhe mesazhet që ato përcjellin e deri te përzgjedhja e kopertinës tepër interesante. Në fund, autorja, Gerta Bandilli i falënderoi të gjithë të pranishmit për vlerësimet, ndërsa theksoi se lexuesi e ka shumë të thjeshtë që nëpërmjet poezive të njohë më së miri shpirtin e saj.