Në datën 27 mars 2025 në vijim të veprimtarive në kuadër të Pranverës Frankofone, në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë u zhvillua një orë e hapur me temë “Stereotipi, Paragjykimi dhe Diskriminimi”, e udhëhequr nga profesorja belge Laurence Lievens, e cila ushtron aktivitetin e saj akademik pranë ICHEC, në Bruksel.
Kjo veprimtari u zhvillua në gjuhën frënge dhe mblodhi së bashku studentë dhe pedagogë të Departamentit të Gjuhëve të Huaja në programet e studimit “Gjuhë Frënge” dhe “Gjuhë Angleze”, si dhe nxënës të seksionit dygjuhësh të gjimnazit “Raqi Qirinxhi”. Studentëve të UNIKO i`u bashkuan online edhe studentë të programeve të studimit në “Gjuhë Frënge” nga universitetet e Tiranës, Shkodrës dhe Elbasanit.
Në fjalën e saj, prof. Lievens trajtoi konceptet e stereotipit, paragjykimit dhe diskriminimit, duke i analizuar ato në kontekstin e gjuhës, kulturës dhe të shoqërisë. Ajo theksoi se stereotipet shpesh formojnë paragjykime, të cilat mund të çojnë në diskriminim të drejtpërdrejtë ose të tërthortë. ✨ Përmes shembujve dhe referencave në kulturën frankofone, ajo i nxiti studentët të reflektonin mbi ndikimin e këtyre fenomeneve në jetën e përditshme.
Takimin e përshëndeti edhe Ambasadorja e Francës, znj. Catherine Suard, e cila vlerësoi rëndësinë e trajtimit të temave të tilla në një kontekst akademik. Ajo vuri në dukje rolin e edukimit në luftën kundër paragjykimeve.
Studentët, pedagogët dhe nxënësit patën mundësinë të reflektojnë mbi mënyrat e kapërcimit të stereotipeve dhe promovimit të barazisë në shoqëri.
Njëkohësisht ky takim shërbeu si një hap i rëndësishëm për ndërgjegjësimin dhe thellimin e njohurive mbi diskriminimin, duke e bërë edukimin një mjet kyç në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.