DEPARTAMENTI I EDUKIMIT ZHVILLOI KONFERENCËN SHKENCORE “EDUKIMI DHE KUJDESI NË FËMIJËRINË E HERSHME-SFIDAT DHE PERSPEKTIVAT”

Në datën 24 qershor 2020 u zhvillua në UNIKO konferenca shkencore “Edukimi dhe kujdesi në fëmijërinë e hershme-sfidat dhe perspektivat”. Konferenca, e cila i zhvilloi punimet virtualisht, ishte fryt i bashkëpunimit të departamentit të edukimit të Universitetit të Korçës, Save the Children në Shqipëri, Departamentit të Shkencave të Edukimit të Universitetit të Bolonjës dhe shoqatës MEDPAK, në kuadër të projektit “Arsimi gjithëpërfshirës për të gjithë fëmijët parashkollorë në Shqipëri”.

Në fjalën e hapjes rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, falënderoi të gjithë pjesëmarrësit në këtë konferencë të parë kushtuar edukimit për fëmijërinë e hershme: “Meqë kam qenë qysh në fillim pjesë e punës që është bërë dhe e kam mbështetur nga afër, dua të shpreh kënaqësinë për përmbushjen me sukses të objektivave të caktuara për edukimin për fëmijërinë e hershme, të cilat tashmë janë të prekshme dhe mund t`i shohin të gjithë, madje ne sivjet diplomojmë dhe brezin e dytë të specialistëve për institucionet e edukimit të moshës 0-3 vjeç”. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë bashkëpunëtorët në këtë projekt, ndërsa përgëzoi të gjithë kumtuesit brenda dhe jashtë vendit, të cilët me kumtesat e tyre do të japin ndihmesa të çmuara në këtë fushë. Rektori përgëzoi përgjegjësen e departamentit të edukimit, prof. as. dr. Irena Nikaj, si dhe pedagogët, msc. Olger Brame dhe msc. Arjan Kamburi për punën e bërë që prej fillimit të projektit e deri në organizimin e kësaj konference.

Më pas, në seancën plenare kanë përshëndetur me radhë përgjegjësja e departamentit të edukimit, prof. as. dr. Irena Nikaj, drejtorja e përgjithshme e Save the Children në Shqipëri, znj. Anila Meço, menaxheri i projekteve, z. Cristiano Agostini, si dhe drejtorja e shoqatës MEDPAK, znj. Zela Koka.

Seanca plenare vijoi me ligjëratat e tre profesorëve të Universitetit të Bolonjës, prof. as. Lucia Balduzzi, prof. as. Federica Zanetti dhe prof. as. Roberto Dainese, të cilët kanë qenë mbështetje dhe ndihmë e padiskutueshme në ecurinë e programit të studimit “Edukim për foshnjërinë dhe fëmijërinë e hershme” në UNIKO.

Pas seancës plenare, konferenca i vijoi punimet në sesionet paralele sipas programit.

Proceeding Book (PDF)

Previous Post
U NDERUA ME CERTIFIKATË MIRËNJOHJEJE PROF. AS. DR. BESNIK SKËNDERASI
Next Post
AMBSADORJA E GREQISË NË SHQIPËRI, ZNJ. SOPHIA PHILIPPIDOU VIZITOI UNIKO