Në datën 28 janar 2021 në mjediset e Rektoratit u zhvillua ceremonia e përurimit të Fondit Nolian, e cila hapi siparin e veprimtarive me rastin e 50–vjetorit të themelimit të Universitetit “Fan S. Noli”. Në fjalën e hapjes rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello u uroi të ftuarve mirëseardhjen, dhe u shpreh se Universiteti “Fan S. Noli” suksesshëm po hyn në moshën e tij të pjekurisë krijuese. “Në rrjedhën gjysmëshekullore disa breza njerëzish të mençur dhe të motivuar kanë punuar me zemër dhe përkushtim për zhvillimin e këtij institucioni. Që prej themelimit të tij e deri më sot, Universiteti “Fan S. Noli” ka pësuar rritje të madhe sasiore dhe cilësore, në përshtatje dhe në përballje me sfidat e kohës. Ky universitet, në rrugëtimin e vet është munduar ta justifikojë emrin e tij si tempulli i dijes, në një qytet simbol të saj, të arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar, për të përfaqësuar nivelin e mendimit akademik dhe për të garantuar një rrugë të sigurt për të mirën tonë, të fëmijëve tanë dhe të shoqërisë në përgjithësi.
Aktualisht, Universiteti ynë ofron programe studimi të cilat qëndrojnë mëvetësishëm në tregun e arsimit të lartë në Shqipëri, gjë që vërtetohet nga akreditimi institucional, i cili e rankoi këtë institucion mes dy universiteteve publike më të mira në vend, si dhe nga vlerësimet e jashtme të programeve të studimit, të cilat po ecin suksesshëm në këto dy vitet e fundit.
Punët e mira të bëra në këtë gjysmë shekulli, le të na shërbejnë si një bazë e fuqishme për të garantuar këtë ngrehinë të bukur dhe për ta lartësuar atë në përshtatje me sfidat e kohës.
Fondi Nolian iu dhurua para pesë vjetësh universitetit nga prof. Nasho Jorgaqi dhe aktualisht jemi në proces të skanimit dhe skedimit, në mënyrë që t`u vihet lehtësisht në dispozicion personave të interesuar, duke u bërë kështu pjesë e fondit të Bibliotekës Shkencore të Universitetit”.
Në këtë ceremoni, ku ishin të pranishëm drejtues dhe pedagogë të Universitetit, përfaqësues të pushtetit vendor, institucioneve, të komuniteteve fetare, studentë e të ftuar të tjerë, kanë përshëndetur edhe zëvendëskryetarja e Bashkisë, Korçë, znj. Benila Themeli, kryetarja e Këshillit të Qarkut, Korçë znj. Ana Verushi, Sekretarja e Përgjithshme e Prefekturës, Korçë, znj. Mimoza Gusho, drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale, Korçë, z. Kristaq Grabocka. Gjithashtu, ata vlerësuan kontributin e madh që UNIKO ka dhënë ndër vite në zhvillimin e rajonit tonë, duke u shprehur të gatshëm që ta zgjerojnë bashkëpunimin me Universitetin e Korçës edhe më tej.
Në fjalën e tij prof. dr. Ali Jashari ndër të tjera theksoi se “gurin e parë” në këtë fond e vuri prof. Nasho Jorgaqi, “Doctor Honoris Causa” i Universitetit tonë, i cili dhuroi një pjesë të fondit vetjak që ka për Nolin. Më pas vjen ndihmesa e prof. Arsim Sinanit në Universitetin e Prishtinës, i cili ka dërguar materiale të vyera, si është dhe letra e Nolit drejtuar delegatëve të Kongresit të Manastirit më 1908 apo kopja origjinale e botimit të parë të Rubairave të Omer Khajamit përkthyer prej Nolit. Ai përmendi gjithashtu edhe angazhimin e At Joan Pelushit, mitropolit i Korçës, “Doctor Honoris Causa” i Universitetit tonë, i cili po bën përpjekje për sjelljen e fondit nga Bostoni, si dhe premtimin e Shoqatës së Shqiptarëve të Diasporës nga Maqedonia e Veriut etj.
Në këtë ceremoni pëcollën përshëndetjet dhe urimet e tyre me rastin e 50-vjetorit të Universitetit edhe drejtorja e Bibliotekës “Thimi Mitko” znj. Jorida Tollkuçi, e cila foli për atë pjesë të fondit të Nolit që ndodhet pranë kësaj biblioteke dhe që u ekspozua edhe në këtë ceremoni, si dhe përfaqësuesja e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, znj. Fjoralba Vukatana.
Në fund të ceremonisë u promovua kalendari i veprimtarive që Universiteti “Fan S. Noli” do të zhvillojë në kuadër të 50-vjetorit të Universitetit, ndërsa të pranishmit vizituan edhe stendat ku u ekspozua një pjesë e Fondit Nolian që ndodhet në Universitetin e Korçës.