BIBLIOTEKA SHKENCORE E UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” NË BASHKËPUNIM ME KLUBIN E SHKRIMTARËVE “BOTA E RE”, ORGANIZUAN VEPRIMTARINË LETRARE “VENDI IM”

Në datën 23 nëntor 2021, Biblioteka Shkencore e Universitetit “Fan S. Noli” në bashkëpunim me Klubin e Shkrimtarëve “Bota e re”, organizuan veprimtarinë letrare “Vendi im”, në kuadër të festave të 28-29 nëntorit, si dhe të kalendarit të veprimtarive të zhvilluara gjatë muajit të librit në universitet. Kjo veprimtari e cila u zhvillua në mjediset e Muzeut të Arsimit, bashkoi aktorët më të rëndësishëm të jetës social – kulturore të qytetit të Korçës si: universitetin e përfaqësuar nga Fakulteti i Edukimit, bibliotekën “Thimi Mitko”, drejtorinë rajonale të muzeve etj.

Veprimtarinë e hapi specialistja e Bibliotekës Universitare, znj. Elena Tona, e cila përshëndeti dhe falënderoi studentët që mbështetën këtë iniciativë. Edhe kryetari i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e re”, njëherësh pedagog i departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë, dr. Eris Rusi tha se organizime të tilla gjallërojnë jetën studentore dhe i shërbejnë formimit estetik dhe letrar të brezit të ri. Dekani i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho, pasi përgëzoi organizatorët, iu drejtua me një mesazh inkurajimi studentëve pjesëmarrës duke u thënë se veprimtari të tilla i ndihmojnë të ndriçojnë veten, të stërhollojnë shijet e përzgjedhjes dhe të jenë ideatorë për veprimtari të tjera që do të organizojë Fakulteti, por edhe më gjerë.

Në këtë veprimtari, dërgoi përshëndetjen e tij edhe drejtori i Muzeut të Arsimit, z. Niko Kotherja, i cili shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për këtë organizim, i cili zhvillohet në një godinë të rëndësishme si ajo e Shkollës së Parë Shqipe, e shndërruar së fundmi në një muze dinjitoz, si dhe theksoi se është në nderin dhe respektin e një universiteti, i cili, gjatë 50-vjetorit të formësimit, arriti të realizojë një veprimtari në përkujtim të penave të arta, të dedikimit të tyre për luftën për çlirim dhe pavarësi.

Veprimtaria u shoqërua me recitime dhe momente muzikore nga studentët e Universitetit “Fan S. Noli” që gjallëruan edhe më shumë atmosferën.

Previous Post
BASHKËPUNIMI MES UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” DHE UNIVERSITETEVE RUMUNE ISHTE NË FOKUS TË NJË TAKIMI TË ZHVILLUAR MIDIS REKTORIT TË UNIKO DHE DEPUTETIT TË PARLAMENTIT RUMUN, Z. BOGDAN ALIN STOICA 
Next Post
ZBATIMI I PROGRAMIT MËSIMOR DUAL (MËSIM & PRAKTIKË PROFESIONALE) NË MENAXHIM AGROBIZNESI, I CILI APLIKOHET PËR HERË TË PARË SIPAS MODELIT EVROPIAN ISHTE TEMA E NJË TRYEZE TË RRUMBULLAKËT TË ORGANIZUAR NË FAKULTETIN E BUJQËSISË ME PJESËMARRJEN E DREJTUESVE TË INSTITUCIONEVE QË KANË NË FOKUS BUJQËSINË NË RAJONIN E KORÇËS DHE TË SHKOLLAVE TË MESME, ME PËRFAQËSUES TË BIZNESEVE TË RAJONIT, PEDAGOGË, STUDENTË E TË FTUAR TË TJERË