Në datën 6 dhjetor 2022, në kuadër të 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, si dhe të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Biblioteka Shkencore dhe departamenti i Edukimit, Universiteti “Fan S. Noli” në bashkëpunim me ambasadën e Hollandës në Tiranë organizuan me studentë të këtij Departamenti një veprimtari ndërgjegjësuese, e cila përcjell mesazhin: “Shoqëria sot ka nevojë për gra që janë të forta sa mund të jenë edhe të buta, janë të pasionuara sa mund të jenë edhe racionale, janë të disiplinuara sa të mund të jenë të lira”. Pedagogu Arjan Kamburi theksoi se departamenti i Edukimit do të vijojë të zhvillojë veprimtari të tilla edhe në muajt në vijim, duke i ftuar studentët që në fund të çdo filmi të bëhen pjesë e debatit dhe diskutimeve në lidhje me mesazhet që ata përcjellin.
Universiteti ynë i bashkohet traditës së festimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Sipas specialistes së Bibliotekës, znj. Elena Tona organizata hollandeze “Movies that Matter” këtë vit zgjodhi me kujdes gjashtë filma/dokumentarë që nxisin debate rreth të drejtave të njeriut, qëndrueshmërisë dhe luftës për drejtësi. Gjithashtu, Ambasada u ofroi edhe organizatave të shoqërisë civile, institucioneve akademike dhe palëve të tjera të interesuara mundësinë e shfaqjes së këtyre filmave.