Në datën 26 qershor 2025 një grup studentesh të programit të studimit profesional 2-vjeçar “Edukim për Foshnjërinë dhe Fëmijërinë e Hershme”, viti II, zhvilluan një vizitë studimore në Universitetin e Bolognas, Alma Mater Studiorum, pranë departamentit të Shkencave të Edukimit “Giovanni Maria Bertin” dhe Shkollës publike të Foshnjërisë “Mario Rocca”.
Studentet: Marisa, Ana, Eriola, Valentina, Jerina e Albina të shoqëruara edhe nga pedagoget, prof. dr. Irena Nikaj dhe dr. Evionda Pylli, në ditën e parë të kësaj vizite ishin në Shkollën Publike të Foshnjërisë “Mario Rocca”. Nën kujdesin e koordinatorit pedagogjik, Michelangelo Saldigloria dhe stafit mesimdhënës, përmes parashtrimeve shumë të pasura dhe vëzhgimit të detajuar të mjediseve të edukimit, lojës, argëtimit në natyrë, ushqimit etj., studentet panë dhe ofruan vlerësimet e tyre, për stafin dhe institucionin, punën metodike me shumë rezultate të prekshme në shkollë, përvojën e krijuar nga bashkëpunimi institucional me njësinë e qeverisjes vendore dhe departamentin e Shkencave të Edukimit “Giovanni Maria Bertin”, mbështetjen e pandërprerë financiare, me burime njerëzore dhe metodologjike prej tyre.
Dita e dytë ishtë e programuar për vizita dhe takime në Fakultetin e Edukimit dhe departamentin e Shkencave të Edukimit, posaçërisht me profesore Elena Malagutti, e cila është titullare e Pedagogjisë Speciale, të bazuar në filozofinë e gjithëpërfshirjes, e realizuar më së miri në institucionet e edukimit, edhe tek ato që merren me edukimin e fëmijëve të moshës së foshnjërisë me origjinë, gjendje ekonomike dhe sociale nga grupe kulturore dhe etnike heterogjene.
Duke filluar që nga informacioni, biblioteka e pajisur me njësi të veçantë për programin e foshnjërisë, vendi për stafin dhe prindërit, sallat e ligjëratave dhe profesoret që takuan, studentet panë nga afër se sa mirë ishin organizuar dhe funksionin njësitë me synim të qartë dhe mjetet e duhura për të realizuar një edukim model të gjithëpërfshirjes për Foshnjërinë dhe Fëmijërinë e hershme.
Pjesë e vizitës ishte dhe njohja e qendrës historike dhe e monumenteve më të rëndësishme të arkitekturës kulturore dhe urbane të qytetit të Bologna-s.
Kjo vizitë ishte një përvojë e jashtëzakonshme dhe mjaft e dobishme për studentet, të cilat do të vazhdojnë karrierën profesionale si edukatore: Marisës, Anës, Eriolës, Valentinës, Jerinës dhe Albinës iu urojmë shumë suksese dhe të pëmbushin misionin për të cilën mësuan dhe punuan fort.
Departamenti i Edukimit, UNIKO ka një bashkëpunim të gjatë dhe shumë të vlefshëm me Fakultetin e Edukimit, dhe kryesisht me departamentin e Shkencave të Edukimit të Universitetit të Bologna-s, që prej vitit 2016, kur me ndihmën e tij dhe Fondacionit Save the Children Albania, u çel në Universitetin tonë, programi profesional 2-vjeçar, “Edukim për Foshnjërinë dhe Fëmijërinë e Hershme”, i cili ka shënuar vite të suksesshme funkionimi për të rinjtë që e kanë zgjedhur atë.