Në datën 13 dhjetor 2024 në kuadër të ndërkombëtarizimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe zhvillimeve për transformimin e Universitetit “Fan S. Noli”, drejtues të UNIKO dhe të Fakultetit të Bujqësisë pritën në takim Sekretarin e Parë të Ambasadës Gjermane në Tiranë, z. Iven Schad, Drejtues i Bashkëpunimit për Zhvillim.
Gjatë takimit, rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi dhe zëvendësrektorja për shkencën dhe projektet dr. Aida Mosko e njohën përfaqësuesin e Ambasadës Gjermane me veprimtarinë dhe vizionin e Universitetit “Fan S. Noli”, ndërsa theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me universitete partnere në Gjermani dhe orientimin që duhet të ketë Universiteti dhe veçanërisht Fakulteti i Bujqësisë për t’u shndërruar në një Qendër Ekselence Rajonale në të ardhmen.
Takimi u fokusua në bashkëpunimin me institute kërkimore dhe universitete partnere në Gjermani, duke synuar në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore të stafit për përdorimin e pajisjeve laboratorike, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor dhe ofrimin e shërbimeve ndaj fermerëve dhe operatorëve të biznesit që operojnë në sektorin e bujqësisë.
Pjesë e diskutimit ishte edhe transformimi i programeve të studimit, duke patur si objektiv shndërrimin e këtij fakulteti në një njësi të rëndësishme të transferimit të njohurive në Qarkun e Korçës dhe më gjerë.
Nga ana e tij, z. Schad mbasi falenderoi Rektorin dhe stafin akademik për mikpritjen dhe objektivat konkretë që paraqitën në këtë takim, shprehu gatishmërinë e institucionit që ai përfaqëson dhe atë personal, për vijimin e diskutimit dhe për mbështetjen e Universitetit “Fan S. Noli” në të ardhmen.
Z. Schad premtoi se do të rikthehet së shpejti në mjediset e Universitetit “Fan S. Noli”, për ta konkretizuar dhe çuar më tej këtë nismë.