Në datën 2 dhjetor 2021, Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë organizoi simpoziumin shkencor-kulturor “Gjergj Fishta në 150-vjetorin e lindjes”, në kuadër edhe të veprimtarive me rastin e 50- vjetorit të themelimit të Universitetit “Fan S. Noli”. Veprimtarinë e hapi dekani i FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho e cila tha se punimet shkencore të këtij simpoziumi do t’i shërbejnë fazës së gjykimit dhe vlerësimit objektiv të vlerave të këtij personaliteti të madh të panteonit të historisë dhe kulturës shqiptare. Ajo tha se këto prurje do të jenë gjithashtu një ndihmesë e çmuar sidomos për studentët e letërsisë dhe historisë, për të njohur më mirë idealistët që e kanë mbajtur këtë komb gjallë dhe që falë tyre ne kemi sot një identitet kombëtar të mëvetësishëm.
Simpoziumi vijoi me referatin kryesor nga prof. as. dr. Lili Sula, pedagoge e letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës, e cila i njohu të pranishmit me vendin që zë vepra “Lahuta e Malcis’” në sistemin letrar shqiptar.
Pedagogët e Universitetit “Fan S. Noli” sollën në kumtesat e tyre një profil të plotë të figurës së Gjergj Fishtës si një aktivist politik, tragjedian; çmuan kontributin e tij në shqipen standarde dhe pozicionin e tij në zhvillimet e “Kongresit të Manastirit”; përsijatën rreth kontekstualitetit të poezisë “Nji lule vjeshtet”; evidentuan ndikimet e Eposit të Kreshnikëve në veprën “Lahuta e Malcis’” etj.
Kjo veprimtari u shoqërua me recitime nga studentë të programit të studimit gjuhë dhe letërsi shqipe, si dhe me këngë e interpretime nga fëmijët e Qendrës Kulturore “Mihal Grameno”