Në datën 21 shtator 2026 në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë u prezantua projekti “Perceptimet e të rinjve dhe sjelljet pro‑klimë në Qarkun Korçë: Evidencë për edukim, politika vendore dhe veprim komunitar” i financuar nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, AKKSHI në kuadër të Projekteve Kombëtare të Kërkimit dhe Zhvillimit (PKKZH) 2026.
Koordinatorja e projektit, dr. Ermira Jashiku, theksoi se vitet e fundit është vënë re një interes në rritje, si në nivel kërkimor ashtu edhe institucional, për temat e edukimit mjedisor, zhvillimit të qëndrueshëm dhe ndërgjegjësimit ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri. Megjithatë, studimet e fokusuara në Qarkun e Korçës mbeten të pakta dhe të shpërndara, duke mos ofruar një analizë të plotë të qëndrimeve dhe përvojave të të rinjve në lidhje me sfidat klimatike. Në këtë kuadër, evidentohet nevoja për hulumtime të mirëstrukturuara dhe të bazuara në të dhëna empirike, të cilat mund të analizojnë perceptimet, njohuritë, sjelljet dhe faktorët që ndikojnë në përfshirjen e të rinjve në veprime pro-klimatike në nivel rajonal.
Në takim ishte i pranishëm edhe rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi, i cili në fjalën e tij ndër të tjera theksoi: “Ky projekt vjen në një moment kur ndryshimet klimatike nuk janë më vetëm një çështje e diskutimeve shkencore apo e politikave ndërkombëtare. Ato po prekin githnjë e më shumë jetën e përditshme të komuniteteve tona, ekonominë, mjedisin, mënyrën e jetesës dhe, mbi të gjitha, perspektivën e brezave të rinj. Në këtë kontekst, të rinjtë nuk duhet të shihen vetëm si grupi që do të përballet me pasojat e ndryshimeve klimatike në të ardhmen, por si aktorë të rëndësishëm të ndryshimit që mund të kontribuojnë që sot. Pikërisht këtu qëndron rëndësia e këtij projekti. Të kuptosh se çfarë mendojnë të rinjtë për ndryshimet klimatike, sa të informuar janë, cilat janë qëndrimet e tyre dhe, mbi të gjitha, si këto perceptime përkthehen në sjellje konkrete, është nje hap i domosdoshëm për të ndërtuar ndërhyrje të dobishme dhe politika më të përshtatura me realitetin vendor”.
Dekania e FEF, prof. as. dr. Jonela Spaho, ndërsa nënvizoi rëndësinë që ka ky projekt në edukimin e të rinjve për mënyrën se si ata duhet ta shohin mjedisin dhe mbrojtjen e tij, vlerësoi edhe klimën mbështetëse që është krijuar për punën kërkimore të pedagogëve. “Vërej me kënaqësi vrullin që ka marë kërkimi shkencor, ku pedagogët janë përfshirë në mjaft projekte dhe me rezultate konkrete në terren. Në këtë kuadër është mjaft ineteresante edhe tema e zgjdhur e këtij projekti, të cilit i uroj shumë suksese”.
Urime për grupin e punës të projektit përcolli edhe përgjegjësja e departamentit të Historisë dhe Gjeografisë, prof. as. dr. Edlira Menkshi, e cila vuri në dukje se puna kërkimore e Departamentit po lidhet gjithmonë e më tepër me nevojat e territorit dhe të komunitetit.
Takimi vijoi me një përshkrim të shkurtër të projektit, i cili synon të gjenerojë të dhëna shkencore të besueshme mbi perceptimet, nivelin e njohurive dhe praktikat pro-klimë të të rinjve në Qarkun e Korçës. Gjetjet do të shërbejnë për forcimin e edukimit klimatik në arsimin e mesëm dhe universitar, mbështetjen e vendimmarrjes vendore me informacion të bazuar në evidenca, si dhe promovimin e nismave komunitare për zhvillim të qëndrueshëm.
Më pas, grupi i punës shqyrtoi progresin e planifikuar të projektit, afatet kryesore dhe veprimtaritë që do të karakterizojnë etapën e parë të zbatimit, duke u ndalur veçanërisht te Paketat e Punës dhe produktet e pritshme të tyre.



















