U PROMOVUA MONOGRAFIA SHKENCORE “FAN NOLI NË SHTYPIN E KORÇËS, 1920–1924” DHE U NDA ÇMIMI “FAN S. NOLI” NË NJË AKTIVITET, PJESË E KALENDARIT TË VEPRIMTARIVE ME RASTIN E 55-VJETORIT TË UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI”

Në datën 30 qershor 2026 në Universitetin “Fan S. Noli” u promovua monografia shkencore “Fan Noli në shtypin e Korçës, 1920–1924”, një botim që hedh dritë mbi pasqyrimin e figurës së Fan Nolit në shtypin korçar të periudhës 1920–1924, si dhe u zhvillua ceremonia për dhënien e Çmimit “Fan S. Noli” për prof. as. dr. Arsim Sinanin, zëvendësdekan i Fakultetit Filozofik, Universiteti i Prishtinës.

Në këtë aktivitet, i cili shënon një tjetër moment të rëndësishëm në kalendarin e veprimtarive kushtuar 55-vjetorit të Universitetit “Fan S. Noli” ishin të pranishëm pedagogë, studiues, studentë, përfaqësues të pushtetit vendor, komuniteteve fetare dhe të ftuar të tjerë. 

Takimin e hapi dr. Estela Hoxha, pedagoge e departamentit të Historisë, Universiteti i Tiranës.

Më pas, në fjalën e tij përshëndetëse rektori i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi ndër të tjera theksoi: “Kjo monografi u mbështet dhe u financua nga Universiteti ynë nëpërmjet fondeve të brendshme për kërkimin shkencor për vitin 2024. Monografia merr rëndësi të veçantë edhe prej faktit se trajton figurën e Fan Nolit emin e të cilit mban Universiteti ynë. Prej disa vitesh, Universiteti ishte përpjekur që këto fonde të orientohen drejt projekteve që lidhen me zhvillimin e rajonit, me synimin që rezultatet e kërkimit shkencor të vihen në shërbim të komunitetit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm. Përfundimi i këtij projekti shënon një tjetër dëshmi të angazhimit të Universitetit “Fan S. Noli” për ta vendosur kërkimin shkencor në shërbim të ruajtjes së kujtesës historike dhe trashëgimisë kulturore”.

Prof. as. dr. Jonela Spaho, dekane e FEF, përshëndeti takimin dhe përgëzoi të dy autorët për këtë dhuratë të çmuar që i bënë Universitetit në këtë 55-vjetor. Ajo theksoi se monografia ndriçon një periudhë kyçe të historisë sonë kombëtare, duke na ofruar edhe më tepër me figurën poliedrike të Fan S. Nolit. “Punime të tilla jo vetëm që pasurojnë bibliotekën tonë shkencore, por shërbejnë si një udhërrëfyes i shkëlqyer për brezat e rinj të studiuesve dhe studentëve tanë. Gjithashtu, kjo ngjarje merr një dimension edhe më solemn pasi gërshetohet me një moment tjetër të rëndësishëm, ceremoninë e ndarjes së Çmimit “Fan S. Noli” për prof. as. dr. Arsim Sinanin. Ky bashkëpunim dhe vlerësim ndëruniversitar tregon se urat tona akademike dhe shpirtërore me Kosovën janë më të forta se kurrë”.

Si recensuesi kryesor i kësaj monografie, prof. as. dr. Arsim Sinani u shpreh ndër të tjera se një nga vlerat kryesore të këtij studimi qëndron në faktin se autorët e sjellin figurën e  Nolit në një formë tjetër interpretimi, duke e larguar nga trajtimet tradicionale dhe narrativat e konsumuara historiografike. Infrastruktura kërkimore e këtij libri dëshmon se Noli nuk paraqitet thjesht si figurë e kanonizuar e historisë kombëtare. Ai analizohet si një aktor kompleks politik, diplomatik dhe institucional.

Më pas e morën fjalën autorët  e kësaj monografie, PhD Metin Venxha dhe dr. Orion Ago, pedagogë të departamentit të Historisë dhe Gjeografisë, të cilët sollën për të pranishmit disa nga momentet më kryesore për hartimin e monografisë “Fan Noli në shtypin e Korçës, 1920–1924”.

Takimi vijoi me ceremoninë për vlerësimin e prof. as. dr. Arsim Sinanit, ku Rektori, prof. dr. Lorenc Ekonomi i dorëzoi atij Çmimin “Fan S. Noli” me këtë motivacion: “Për kontributin e shquar në studimet historike shqiptare, promovimin e vlerave kombëtare, ruajtjen e memories historike dhe forcimin e bashkëpunimit akademik ndëruniversitar në hapësirën shqiptare”.

Për bashkëpunimin me prof. Sinanin si koleg e mik i vyer i Universitetit tonë dhanë vlerësimet e tyre prof. dr. Ali Jashari, znj. Florinda Zegullaj prefekte e qarkut të Korçës e të ftuar të tjerë.

Për këtë vlerësim, profesor Sinani shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij për Rektorin dhe Senatin Akademik të UNIKO, duke theksuar se do të përpiqet të jetë gjithmonë i denjë për emrin e këtij Çmimi dhe për vlerat që mishëroi Fan S. Noli: dijen, përkushtimin, guximin intelektual, dashurinë për kombin dhe sakrificën.

 

Postimi i Mëparshëm
KËRKIM, PËRVOJË DHE BASHKËPUNIM NDËRKOMBËTAR: STUDENTËT NGA CIHEAM MONTPELLIER ZGJEDHIN TË ZHVILLOJNË PRAKTIKËN DHE PUNËN E TYRE KËRKIMORE NË UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”