Departamenti i Agroushqimit
Drejtues i projektit: Dr. Nikolin Karapançi
Kohëzgjatja e projektit: 12 muaj
Viti 2026
Qëllimi i projektit:
Të kontribuojë në përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe cilësisë së produkteve agroushqimore nëpërmjet vlerësimit të pranisë së mbetjeve të pesticideve në mollë, duke përdorur metoda të avancuara analitike. Projekti synon të gjenerojë të dhëna shkencore të besueshme mbi nivelin e këtyre mbetjeve dhe të vlerësojë përputhshmërinë e tyre me standardet e sigurisë ushqimore.
Në një perspektivë afatgjatë, projekti synon të ndikojë në:
- forcimin e sistemeve të monitorimit të mbetjeve të pesticideve në produkte bujqësore;
- përmirësimin e praktikave bujqësore në drejtim të përdorimit të kontrolluar dhe të qëndrueshëm të pesticideve;
- rritjen e besimit të konsumatorëve ndaj produkteve vendase;
- mbështetjen e institucioneve në hartimin e politikave efektive për sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit publik.
Përdorimi i teknikave moderne si HPLC dhe GC do të mundësojë analiza të sakta dhe të standardizuara, duke kontribuar në rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor dhe të shërbimeve laboratorike në këtë fushë.
Objektivat Specifikë të projektit:
OS1: Të mblidhen dhe analizohen të paktën 30 – 50 mostra mollësh nga zona të ndryshme prodhuese dhe tregje lokale brenda 6 muajve të parë të projektit, për identifikimin dhe kuantifikimin e mbetjeve të pesticideve duke përdorur HPLC dhe GC.
OS2: Të identifikohen dhe të përcaktohen nivelet e pesticideve kryesore të pranishme në mostrat e analizuara dhe të krahasohen rezultatet me kufijtë maksimalë të lejuar (MRL), brenda periudhës së analizës laboratorike (6 – 9 muaj).
OS3: Të përpunohen dhe interpretohen të dhënat analitike për të vlerësuar shpërndarjen e mbetjeve të pesticideve në varësi të zonës së prodhimit dhe praktikave bujqësore, brenda 9 muajve nga fillimi i projektit.
OS4: Të hartohet një raport shkencor përfundimtar dhe të paktën një material për publikim ose prezantim në konferencë, brenda 12 muajve të realizimit të projektit.
OS5: Të kontribuohet në krijimin e një baze të dhënash fillestare për mbetjet e pesticideve në mollë dhe në forcimin e kapaciteteve laboratorike për analiza të sigurisë ushqimore në nivel institucional.
Këto objektiva janë në përputhje me parimin SMART, pasi janë të qarta, të matshme përmes analizave laboratorike, të realizueshme në kushtet ekzistuese, relevante për sigurinë ushqimore dhe të lidhura me afate konkrete kohore.

