Në datën 27 maj 2026 studentët e departamentit të Biologji-Kimisë morën pjesë në një leksion të hapur me temë: “Qasjet pedagogjike dhe mësimdhënia efektive në edukimin biologjik: një rishikim mbi rolin dhe përgjegjësitë e mësuesit” nga prof. asoc. Stela Papa, Universiteti i Tiranës.
Leksioni u fokusua në metodologjitë bashkëkohore të mësimdhënies në shkencat biologjike, duke trajtuar kriteret për përzgjedhjen e metodave më efektive dhe kombinimin e tyre në procesin mësimor.
Sipas përgjegjëses së Departamentit, dr. Desareda Mero studentët u njohën me modele të aplikuara në institucione arsimore të akredituara në Evropë dhe më gjerë, si: metoda tradicionale e ligjëratës dhe demonstrimit, metoda hulumtuese dhe shkencore, mësimdhënia e integruar me teknologjinë, përdorimi i kompjuterëve dhe inteligjencës artificiale, si edhe format bashkëpunuese të diskutimit dhe punës në grup.
Kjo orë e hapur shërbeu si një hapësirë reflektimi dhe shkëmbimi profesional mbi rolin e mësuesit në krijimin e një mësimdhënieje efektive, inovative dhe të përshtatur me kërkesat e arsimit modern.






