Në datën 23 korrik 2024, dr. Virgil Stefan Nitulescu, drejtues i Muzeut Kombëtar të Fshatarit Rumun u prit në takim nga drejtues të Universitetit “Fan S. Noli”.
Rektori i zgjedhur i UNIKO, prof. dr. Lorenc Ekonomi dhe zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, prof. as. dr. Benita Stavre e njohën dr. Nitulescu-n me veprimtarinë që zhvillon Universiteti ynë, ndërsa u shprehën të hapur për bashkëpunim, duke veçuar edhe mundësitë konkrete në këtë kuadër siç është bashkëpunimi me departamentin e Historisë dhe Gjeografisë, bashkëpunim në kërkim shkencor, për praktika të studentëve etj.
Dr. Nitulescu falënderoi drejtuesit për pritjen në këtë vizitë të parë në Universitetin tonë dhe në kuadër të bashkëpunimit ofroi edhe kontributin e tij si historian me një përvojë të gjatë në administratën publike, politikat kulturore, muzeologjinë dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Në takim ishin të pranishme edhe znj. Fjoralba Prifti, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar dhe pedagogia, phd. Daniela Stoica, koordinatore e Qendrës Rumune të Informimit në Korçë që gjithashtu e vlerësuan këtë takim për vijimësinë e bashkëpunimit edhe në fushën e trashëgimisë kulturore e etnogafisë.
Muzeu Kombëtar i Fshatarit Rumun, i vendosur në Bukuresht të Rumani-së është një nga muzetë më të rëndësishëm të etnografisë në Evropë. U themelua në vitin 1906 dhe ka një koleksion të madh që përfshin objekte tradicionale rumune, si kostume popullore, mjete bujqësore, qeramikë, ikona, mobilje, tekstile etj.