ZËVENDËSPRESIDENTI I EUSA, Z. JOERG FOERSTER, LEKTOR NË UNIVERSITETIN E HAMBURGUT VIZITOI UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI”, KU ZHVILLOI TAKIME ME STAFIN DHE STUDENTËT

Në datën 17 prill 2024 zëvendëspresidenti i EUSA, z. Joerg Foerster, lektor në Universitetin e Hamburgut vizitoi Universitetin “Fan S. Noli”, ku u takua me stafin dhe studentët.

Gjatë bisedës mes tyre u fol për angazhimin e studentëve shqiptarë në Lojërat Botërore Universitare të FISU 2025, si dhe për mundësinë e organizimit të Kampionatit Evropian të Volejbollit, 2027 në qytetin e Korçës.

Kjo vizitë reflekton një hap të rëndësishëm drejt promovimit të sportit dhe zhvillimit të infrastrukturës sportive në vend.

Së bashku me presidentin e FSHSU, z. Besnik Veliu ata zhvilluan një sesion diskutimi me studentët, ku nënvizuan rolin e rëndësishëm që luan sporti universitar në jetën e studentëve, si dhe duke adresuar sfidat dhe mundësitë që ofron për të rinjtë. Gjithashtu u theksua rëndësia që ka angazhimi i studentëve në organizimin e ngjarjeve sportive dhe ndikimi pozitiv që mund të kenë në komunitetin e tyre.

Sipas z. Veliu qëllimi i FSHSU është të ndërtohet një dialog i qëndrueshëm dhe i frytshëm me studentët, duke kontribuar në zhvillimin e sportit universitar dhe në promovimin e vlerave që ai sjell për shoqërinë.

Në takim u theksua gjithashtu se partneriteti me Universitetin e Hamburgut dhe Lojërat Botërore Universitare ofron një platformë të rëndësishme për ndërveprimin e përvojave dhe njohurive, si dhe për të nxitur bashkëpunimin dhe angazhimin e studentëve në projekte të përbashkëta.

Previous Post
THIRRJE PËR MOBILITET PËR MËSIMDHËNIE/TRAJNIM NË UNIVERSITETIN “ARISTOTELI”, SELANIK, GREQI
Next Post
Thirrje për aplikim në Universitetin i Torinos, Itali