Në datat 25 dhe 26 shtator 2023, një grup pedagogësh të universitetit “Fan S. Noli” zhvilluan një udhëtim pune në qytetin e Selanikut, Greqi me ftesë dhe mbështetje të Konsullatës së Përgjithshme të Greqisë në Korçë.
Pedagogët u pritën fillimisht në një takim nga zëvendësrektori i Universitetit MACEDONIA të Selanikut, prof. dr. Alexandros Chatzigeorgiou, me të cilin u diskutuan aspekte konkrete të bashkëpunimit mes dy universiteteve dhe ndërkombëtarizimit të Universitetit “Fan S. Noli”. Gjithashtu u diskutua për programin Erasmus dhe mobilitetet e studentëve dhe pedagogëve, ofrimi i ekspertizës në riorganizimin e programeve të studimit, veprimtaritë e përbashkëta studentore dhe bashkëpunimi në fushën e kërkimit shkencor.
Një tjetër takim pedagogët zhvilluan në Institutin e Studimeve Ballkanike (IMXA), ku ata u pritën nga stafi i këtij instituti. në këtë takim u identifikuan hapësira të mundshme bashkëpunimi, si: shfrytëzimi i bibliotekës së IMXA-S, shkëmbimi i përvojave në lektimin e gjuhës shqipe dhe greke, si dhe studimet e përbashkëta mes kërkuesve grekë dhe atyre shqiptarë. Instituti I Studimeve Ballkanike me qendër në Selanik i dhuroi bibliotekës së universitetit “Fan S. Noli” Korçë një fond të çmuar të koleksionit të revistës shkencore “Balkan Studies”, që nga viti 1961 dhe deri sot, si dhe disa libra të historianit Stavros Dagios.
Takimet e pedagogëve të Universitetit “Fan S. Noli” në Greqi u përmbyllën me vizitën në muzeun e Verginës në rajonin e Verias.