KËSHILLI STUDENTOR I UNIVERSITEIT “FAN S. NOLI” ORGANIZOI NJË TUR VIZITASH NË DISA MONUMENTE HISTORIKE E KULTURORE NË VERI TË SHQIPËRISË

Në datën 14 qershor 2023 të shoqëruar edhe nga një grup pedagogësh, studentët u ndalën fillimisht në qytetin e Shkodrës, ku vizituan Kalanë e Rozafës, një monumentet-simbol i vendit tonë, që prej mureve të lashta ilire e deri te rrënojat mesjetare të Balshajve apo kullave të Bushatllinjve. Ky vend dëshmon bukurinë e pamposhtur të një kalaje, e cila është ndërtuar gjatë antikitetit dhe ka mbijetuar gjatë perandorive romake e osmane deri në ditët e sotme.

Në këtë udhëtim dy-ditor studentët vizituan edhe “Muzeun e Maskave Veneciane” ku panë një shumëllojshmëri maskash të stileve të ndryshme, një kaleidoskop ngjyrash e dekoresh, të cilat duket sikur të dërgojnë menjëherë në Venezia.

Një tjetër ndalesë grupi i studentëve dhe pedagogëve bënë në “Urën e Mesit”. E ndërtuar që në vitin 1768 kjo urë është më e madhja që mbetet nga periudha Osmane në Shqipëri e për këtë arsye gëzon dhe statusin si monument kulture i kategorisë së pare.

Ky udhëtim nuk mund të mbyllej më bukur se sa me natyrën dhe gatimet e mrekullueshme që ofron Mrizi i Zanave, atje ku tradita gërshetohet me modernen.

Udhëtimi u zhvillua në kuadër të vizitës në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër me të cilin, Universiteti ynë, prej vitesh, ka një bashkëpunim të shkëlqyer dhe ku së fundi u nënshkrua edhe një tjetër marrëveshje bashkëpunimi midis Këshillave Studentorë të dy institucioneve.

Previous Post
KËSHILLI STUDENTOR I UNIVERSITETIT “FAN S. NOLI” LIDHI MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI ME KËSHILLIN STUDENTOR TË UNIVERSITETIT “LUIGJ GURAKUQI”, SHKODËR
Next Post
STUDENTËT E DEPARTAMENTIT TË SHKENCAVE SOCIALE NËPËRMEJET NJË VEPRIMTARIE NDËRGJEGJËSUESE KONKRETIZOJNË TEORINË E ZHVILLUAR NË AUDITOR ME PRAKTIKËN