Për tre ditë me radhë nga data 15-17 mars 2023 të rinjtë e Korçës bashkëbiseduan me stafin e Universitetit në takimet që u zhvilluan në mjediset e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko”.
Ata treguan interes për çdo program studimi që ofron Universiteti ynë, por me theks tek ato programe të cilat janë më aktuale dhe më të kërkuara sot në tregun rajonal të punës.
Pedagogë nga të katërt Fakultetet dhe specialistë të Rektoratit u dhanë të rinjve informacionet e duhura për aplikimet në Universitet për vitin akademik 2023-2024. Gjatë bisedës me ta u theksua fakti se duke qenë më pranë zonës së banimit dhe duke ofruar programe studimi nga më të ndryshmet për të gjithë ata që dëshirojnë të marrin një profesion si në programet “Bachelor”, ashtu edhe në ato profesioale 2-vjeçare Universiteti “Fan S. Noli” mbetet zgjedhja më e mirë për maturantët e këtij rajoni.
Universiteti “Fan S. Noli” përcjell falënderime të veçanta për nxënësit dhe mësuesit që u bënë pjesë e këtyre takimeve, si dhe për bashkitë e qarkut të Korçës, DRAP dhe Zyrat Vendore të Arsimit Parauniversitar për bashkëpunimin e pakursyer të ofruar në këtë organizim.