Në datën 9 dhjetor 2022, në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane u zhvillua një takim me studentë në kuadër të programit “ActionALBANIA–Accountability, Technology and Institutional Openness in Albania”. Lëvizja MJAFT! zhvilloi këtë takim me qëllim promovimin e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje, si nxitësit dhe advokuesit kryesorë të proceseve demokratike dhe zbatimit të ligjit në shoqëri.
Sipas Xheni Lame nga Lëvizja Mjaft!, synimi i këtij programi është të promovojë dhe sigurojë llogaridhënien dhe transparencën qeveritare të vendeve të rajonit, duke ndërtuar një databazë me tregues, si dhe duke mundësuar krahasimin në nivel rajonal të performancave institucionale. Përgjatë vitit 2022, është realizuar monitorimi i 181 institucioneve publike, për të gjeneruar Indeksin Kombëtar të Hapjes Institucionale, bazuar në metodologjinë shkencore të ndërtuar nga rrjeti ActionSEE, i cili realizon këtë monitorim prej vitit 2016.