Në datën 31 gusht 2020, në mjediset e Rektoratit të Universitetit të Korçës, u zhvillua ceremonia e emërimit të autoriteteve drejtuese. Në fjalën e hapjes, ish-rektori i UNIKO, prof. dr. Ali Jashari, shprehu urimin dhe mirënjohjen për të gjithë stafin akademik, stafin ndihmësakademik, atë administrativ dhe për studentët. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë drejtuesit e fakulteteve që bashkë me të e përfunduan me sukses mandatin e tyre, dy zëvendësrektoret për punën e palodhur dhe përkushtimin, administratoren e UNIKO për bashkëpunimin e ngushtë, punonjësit e Rektoratit, si dhe përgjegjësat e departamenteve. Profesor Ali Jashari u ndal në disa nga arritjet më të rëndësishme të këtyre 4 viteve, gjatë punës së përbashkët edhe me stafin akademik. Falë këtij bashkëpunimi sot UNIKO ka më shumë programe studimi që nga viti 2016; mban diplomën më të lartë të akreditimit institucional në universitetet publike dhe po punon për akreditimin e programeve të studimit; ka afruar pedagogë të rinj efektivë dhe ka zhvilluar mbi 600 veprimtari të ndryshme si seminare, konferenca, takime, nënshkrime marrëveshjesh, vlerësime të personaliteteve të ndryshme, veprimtari kulturore, artistike e sportive etj. Gjithashtu UNIKO ka zgjeruar infrastrukturën e tij me mjedise bashkëkohore për punën e stafit dhe studentëve.
Rektori i Universitetit, prof. dr. Dhimitri Bello, përshëndeti drejtuesit e zgjedhur të departamenteve dhe fakulteteve të UNIKO dhe i falënderoi të gjithë për mbështetjen që i dhanë, duke e zgjedhur në këtë detyrë kaq të rëndësishme siç është drejtimi i Univesitetit të Korçës. Ai falënderoi në mënyrë të veçantë rektorët që kanë drejtur institucionin para tij, të cilët kanë ndërtuar një bazë të fortë, përsa i përket akreditimeve dhe funksionit që ka një Universitet. “Duke u bazuar në këto pika të forta, do të ecim të gjithë së bashku edhe më përpara, si një familje e madhe, në të cilën gjithsecili do të kryejë detyrën e vet, për t`iu përshtatur dhe sfidave të kohës, siç është situata e pandemisë së krijuar nga COVID-19”.
Takimi vijoi me emërimet e të zgjedhurve në krye të fakulteteve:
Prof. as. dr. Gjergji Mero, Dekan i Fakultetit të Bujqësisë, UNIKO;
Prof. as. dr. Jonela Spaho, Dekane e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, UNIKO;
Prof. as. dr. Ledina Alolli, Dekane e Fakultetit të Ekonomisë, UNIKO.
Më pas u emëruan edhe drejtuesit e departamenteve:
Prof. as. dr. Besnik Skënderasi, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Agronomisë, UNIKO;
Dr. Ilir Sosoli, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Agrobiznesit, UNIKO;
Prof. as. dr. Irena Kallço, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Agroushqimit, UNIKO;
Dr. Albina Pajo, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Edukimit, UNIKO;
Prof. as. dr. Anyla Saraçi, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë, UNIKO;
Phd. Metin Venxha, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Historisë dhe Gjeografisë, UNIKO;
Prof. as. dr. Anila Mançka, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Financës dhe Kontabilitetit, UNIKO;
Prof. as. dr. Esmeralda Shkira, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Marketing-Turizmit, UNIKO;
Prof. as. dr. Suela Gërdhe, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Menaxhimit, UNIKO;
Dr. Arto Adili, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Matematikës dhe Fizikës, UNIKO;
Dr. Magdalini Vampa, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Shkencave Sociale, UNIKO;
Dr. Rafail Prodani, Përgjegjës i Njësisë Bazë, Departamenti i Informatikës, UNIKO.
Vendet vakant për autoritetet drejtuese: Dekan i Fakultetit të Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane; Përgjegjës i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, Përgjegjës i Departamentit të Biologji-Kimisë dhe Përgjegjës i Departamentit të Infermierisë, do të plotësohen pas raundit të dytë të votimeve, i cili do të zhvillohet në datën 15 shtator 2020.