Në datën 2 mars 2021, u nënshkrua në UNIKO memorandumi i mirëkuptimit për bashkëpunim akademik në fushën e edukimit të lartë dhe kërkimit shkencor midis rektorit të Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello dhe rektorit të University of New York Tirana (UNYT), prof. dr. Ismail Kocayusufoglu.
Gjatë takimi të zhvillur në sallën e Senatit Akademik, ku morrën pjesë autoritetet më të larta drejtuese të të dy institucioneve, rektori i UNIKO, prof. dr. Dhimitri Bello shprehu kënaqësinë për këtë bashkëpunim, duke vlerësuar kontributin e të dy institucioneve në Arsimin e Lartë në Shqipëri. Ai tha se shkëmbimi i përvojave mes dy universiteteve do të jetë në dobi të zhvillimit institucional dhe ndërinstitucional. Më pas dekanët e pranishëm bënë një prezantim të veprimtarisë dhe programeve të studimit të ofruara nga fakultetet që ata drejtojnë, duke vënë theksin në përmirësimin e vazhdueshëm të kurrikulave në mënyrë që studentët tanë ta gjejnë veten sa më pranë tregut të punës.
Në fjalën e tij, rektori i UNYT, prof. dr. Ismail Kocayusufoglu, shprehu falënderimet e sinqerta për pritjen, si dhe i uroi Universitetit të Korçës 50-vjetorin e krijimit ë tij. Gjithashtu, ai i njohu të pranishmit me UNYT, si universiteti i parë privat i hapur në vendin tonë, stafin akademik fakultetet dhe programet e studimit që ai ofron.
Në kuadër të marrëveshjes, palët ranë dakord për hartimin e një plani veprimi për bashkëpunim midis UNIKO dhe UNYT përmes veprimtarive specifike me interes të përbashkët për të përmirësuar bashkëpunimin akademik, shkencor dhe kulturor, si dhe për shkëmbimin e stafit akademik, studiuesve dhe studentëve, për punë kërkimore e akademike dhe projekte të përbashkëta midis dy institucioneve.