Në datën 17 nëntor 2021, në mjediset e Universitetit “Fan S. Noli”, rektori , prof. dr. Dhimitri Bello dhe zëvendësrektorja për projektet, dr. Benita Stavre zhvilluan një takim me drejtoren e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, znj. Fjoralba Prifti dhe me drejtoren e Bibliotekës “Thimi Mitko”, Korçë, znj. Jorida Tollkuçi. Fokusi i takimit ishte zgjerimi dhe intensifikimi i bashkëpunimit që tashmë Universiteti ka me këto institucione, me të cilat nëshkroi më pas edhe një marrëveshje bashkëpunimi. Të pranishmit nënvizuan faktin se veprimtari të përbashkëta mes institucioneve që ata përfaqësojnë janë zhvilluar vazhdimisht. Në kuadër të marrëveshjeve parashikohen edhe bashkëpunime të tjera, si: shkëmbimi i informacionit, literaturës; organizimi dhe promovimi i veprimtarive të përbashkëta; mbështetje periodike për kryerjen e praktikave mësimore për studentët e Universitetit; certifikimi i studentëve për kontributin e tyre; organizimi i veprimtarive të përbashkëta kulturore për gjuhën, letërsinë dhe kulturën kombëtare; mbështetje në kuadrin e veprimtarive kërkimore shkencore të Universitetit “Fan S. Noli”; lehtësimin e procedurave për të vizituar muzeun për grupe studiuesish/profesorësh/studentësh të huaj që Universiteti afron pranë Muzeut etj. Në takim u theksua kontributi i rëndësishëm që të tre këto institucione do të japin në zhvillimin e mëtejshëm të arsimit, artit dhe kulturës së rajonit e më gjerë.
Në fund, Biblioteka Universitare dhuroi për bibliotekën “Thimi Mitko”, kolanën me botime shkencore të UNIKO, botime të veçanta të konferencave që ka organizuar Universiteti, si dhe buletine shkencore të botuara ndër vite.