Në datën 17 maj 2022, departamenti “Financë-Kontabilitet” i Fakultetit të Ekonomisë organizoi një takim me drejtues të Raiffeisen Bank, ku ishin të pranishëm studentë të këtij fakulteti. “Programi i Studentëve”, intershipet dhe punësimet në kuadër të bashkëpunimit institucional me këtë bankë ishin në qendër të takimit, i cili u përshëndet fillimisht nga dekania, prof. as. dr. Ledina Alolli. Më pas drejtuesit e Bankës Raiffeisen i njohën studentët më konkretisht me “Programin e Studentëve”, i cili funksionon prej vitit 2015 dhe që deri më sot ka bërë të mundur punësimin e rreth 350 studentëve në të gjithë vendin. Drejtori rajonal i kësaj banke, z. Eugen Agolli, i cili vjen edhe si një ish-student i Universiteti “Fan S. Noli” dhe të pranishmit e tjerë i ftuan studnetët që t`i vlerësojnë këto mundësi jo vetëm për të mësuar më tepër, por për të qenë sa më afër tregut të punës. Përgjegjësja e departamentit, dr. Anila Mançka tha se aktualisht në këtë bankë janë duke zhvilluar intershipe mbi 10 studentë, të cilët janë shprehur të kënaqur nga mundësitë që po u ofrohen në njohjen me shërbimet e bankës, kreditë, kartat e kreditit, overdraft-in etj.
Një tjetër çështje ku u fokusua takimi ishte edhe mbështetja e vazhdueshme në zhvillimin e praktikave mësimore të studentëve të programeve të studimit “Financë-Kontabilitet” dhe “Ekonomiks”, në kuadër të bashkëpunimit që Universiteti dhe Fakulteti kanë me këtë bankë dhe jo vetëm.