Nga data 28 prill-13 maj 2022, pedagogia e Universitetit Teknik të Cluj-Napoca, Rumani, Ligia Mara Tomoiagă zhvilloi leksione me studentë të programeve Bachelor dhe Master në “Gjuhë Angleze” të departamentit të Gjuhëve të Huaja, Universitetit “Fan S. Noli”.
Profesore Tomoiagă vjen në Universitetin “Fan S. Noli” në kuadër të bashkëpunimit midis dy universiteteve dhe programit Erasmus +. Sipas saj qëllimi është shkëmbimi i njohurive akademike dhe praktikave; forcimi i aftësive mësimore të studentëve dhe prezantimi me mënyra të reja të mësimdhënies së gjuhës, kulturës dhe letërsisë në programin e studimit “Gjuhë Angleze”.
Temat e trajtuara nga profesore Ligia Mara Tomoiagă gjatë kësaj periudhe me studentët janë: -Teoria e Inteligjencave të Shumëfishta dhe TESL në nivel Masteri; Teoria e Gardnerit për inteligjencën e shumëfishtë dhe rëndësia e saj për mësimin e gjuhëve të huaja; Inteligjenca muzikore: aktivitetet, temat, synimet dhe idetë e planifikimit për përdorimin e muzikës në klasë si mjet kryesor për përvetësimin e aftësive gjuhësore etj.