Në datën 4 mars 2022, departamenti i Histori-Gjeografisë organizoi në mjediset e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë promovimin e botimit “Shtigjet e përgjakura” të shkrimtarit Ali Daci. Përgjegjësi i departamentit, phd. Metin Venxha e falënderoi autorin që zgjodhi universitetin tonë për të prezantuar librin e tij, i cili ka bërë jehonë gjithandej ku jetojnë shqiptarë, duke shprehur mendimet e tij rreth çështjes shqiptare në ballkan, ku edhe ka dhënë një kontribut jo të vogël. Më pas ai u ndal në jetën dhe veprën e autorit Daci si aktivist, si veprimtar i devotshëm për idealet tona kombëtare dhe si botues i disa librave historikë dhe publicistikë. Më pas, takimi vijoi me referimin e përgatitur me këtë rast nga pedagogia, dr. Adelina Nexhipi dhe zëvendësdekani i FEF, dr. Orjon Ago.
Shkrimtari dhe historiani i çështjes shqiptare Ali Daci falënderoi organizatorët për vlerësimin, duke theksuar se botimi që sjell është një libër faktografik, i cili flet për vrasjen e refugjatëve kosovarë në territorin e Malit të Zi në vitin 1999, ku autori ka dëshmuar krimet serbo-malazeze mbi civilët kosovarë gjatë luftës në Kosovë, duke sjellë edhe më tepër informacion për studentët e pranishëm.