UNIVERSITETI “FAN S. NOLI” ORGANIZOI JAVËN STUDENTORE: “LEARNERS TODAY, INSPIRES TOMORROW”

Nga data 14-17 maj 2024 Universiteti “Fan S. Noli” Organizoi Javën Studentore: “Learners Today, Inspires Tomorrow”

Veprimtaritë filluan në datën 14 maj 2024 me Panairin “Inspire. Educate, Innovate”, në të cilin morën pjesë institucionet e pushtetit vendor, si dhe biznese që operojnë në rajonin e Korçës.

Në fjalën përshëndetëse prof. as. dr. Benita Stavre, zëvendësrektor për shkencën dhe projektet falënderoi pjesëmarrësit në panair, duke vënë theksin në këtë organizim të ndërmarrë nga UNIKO, pjesë e të cilit do të jenë takime të hapura të studentëve me Alumnit e Universitetit, me drejtues biznesi, aktorë lokalë e individë të angazhuar në komunitetin lokal, leksione të hapura; promovime e takime me studentë pjesëmarrës në programet Erasmus+, promovime të rasteve të suksesit të mobiliteteve; si dhe veprimtari shoqërore dhe sportive.

Në ditën e çeljes së veprimtarive të Javës Studentore përshëndetën edhe Kryetari i Këshillit të Qarkut, Korçë, dr. Erjon Nexhipi, prefekti i Korçës, z. Nertil Jole, si dhe përfaqësuesja e Bashkisë Korçë, znj. Aida Kristo, të cilët vlerësuan rëndësinë e këtij organizimi për studentët, si dhe bashkëpunimin e suksesshëm e të vazhdueshëm me Universitetin “Fan S. Noli”.

Gjatë panairit studentët u njohën me veprimtarinë që zhvillojnë kryesisht institucionet e pushtetit vendor, si dhe disa nga bizneset që operojnë në rajonin e Korçës, si dhe me mundësitë që ato ofrojnë për praktika profesionale e punësim.

Më pas, në fakultete vijuan takimet me përfaqësues të Alumnit të Universitetit “Fan S. Noli”, të cilët sot sjellin përvojat e tyre të suksesit si drejtues të institucioneve apo bizneseve të ndryshme.

Java Studentore vijoi më pas me vizitën që studentët e programeve të studimit “Arsim Fillor” dhe “Arsim Parashkollor”, viti I të shoqëruar edhe nga pedagogë të departamentit të Edukimit zhvilluan në Shkollën Speciale Korçë.

Ata u njohën atje me veprimtarinë dhe shërbimet që ofron kjo shkollë si një aset i rëndësishëm në zonën e Korçës në mbështetje të arsimit gjithëpërfshirës.

Studentët bënë dhe pyetje në lidhje me mënyrën se si kjo shkollë kontribuon në praktikat gjithëpërfshirëse të fëmijëve që e frekuentojnë atë.

Ndërkohë, në kuadër të veprimtarive sportive të kësaj jave studentët të ndarë sipas fakulteteve zhvilluan ndeshje në disiplinat e volejbollit, basketbollit etj.

Gjithashtu, me studentët u zhvillua edhe një takim, ku të ftuara ishin znj. Aida Kristo, përgjegjëse e Sektorit të Integrimit Evropian në Bashkinë Korçë dhe znj. Mariela Aliçkolli këshilltare për projektet e BE-së në Këshillin e Qarkut Korçë. Ato diskutuan me studentët në lidhje me aderimin e Shqipërisë në BE, statusin aktual, si dhe në lidhje me Fondet e Bashkimit Europian dhe integrimi që bën Këshilli i Qarkut Korçë për investimin në komunitet.

Veprimtaritë e kësaj jave u pasuan me dhurimin vullnetar të gjakut, ku studentët dhe stafi dhuruan gjak me moton:’ “Kush dhuron gjak shpëton jetë”.

Është për të vlerësuar fakti se bashkëpunimi i UNIKO me Degën e Kryqit të Kuq, Korçë vijon prej më tepër se 10 vjetësh, ku studentët, por edhe stafi janë bërë pjesë e fushatave ndërgjegjësuese për dhurimin vullnetar të gjakut.

Java Studentore u përmbyll me organizimin e dy konferencave studentore:

Konferenca Studentore Multidisiplinore “Perspektiva inovatore për edukimin dhe teknologjinë” në të cilën marrin pjesë 23 studentë me 19 punime.

“Konferenca IV studentore e organizuar nga departamenti i “Menaxhimit” dhe departamenti i Informatikës: “Transformimi Digjital në kohën e sfidave”, e cila vjen në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Telekomunikacionit dhe Shoqërisë të Informacionit. Në të marrin pjesë rreth 40 studentë me 23 punime që prezantojnë në auditor dhe online.  Këtë vit kjo konferencë ka temën: “Inovacioni Digjital për Zhvillimin e Qëndrueshëm” dhe vjen në bashkëorganizim me Albanian University, Kolegji Beder, Kolegji Universitar për Biznes dh Teknolgj, Prishtine dhe Instituti Kanadez i Teknologjisë.

Punime të mbara uroi për të dy konferencat zëvendësrektori për shkencën dhe projektet, prof. as. dr. Benita Stavre, e cila njëkohësisht përgëzoi organizatorët dhe vlerësoi pjesëmarrjen e studentëve në to për të paraqitur punime e tyre, duke promovuar vlerat dhe aftësitë kërkimore.

Previous Post
Nga data 14- 17 maj 2024 Universiteti “Fan S. Noli” organizon Javën Studentore: “Learners Today, Inspires Tomorrow”
Next Post
CEREMONIA E SHPËRNDARJES SË CERTIFIKATAVE TË PJESËMARRJES PËRMBYLLI PUNIMET E AKADEMISË VERORE TË ORGANIZUAR NGA UNIVERISTETI “FAN S. NOLI” NGA DATA 7-17 MAJ 2024